Covey para Gjykatës: UÇK-ja nuk kishte një rend të qartë komandimi
James Peter Covey dëshmoi para Gjykatës Speciale se nuk ka pasur kurrë një pasqyrë të qartë apo një kuptim të plotë për strukturën e brendshme të UÇK-së, sidomos sa i përket përgjegjësive në rajone të caktuara dhe zinxhirit të komandës. Sipas tij, ishte me rëndësi që ish-pjesëtarët e UÇK-së të integroheshin në strukturat e reja…

Lajme
James Peter Covey dëshmoi para Gjykatës Speciale se nuk ka pasur kurrë një pasqyrë të qartë apo një kuptim të plotë për strukturën e brendshme të UÇK-së, sidomos sa i përket përgjegjësive në rajone të caktuara dhe zinxhirit të komandës.
Sipas tij, ishte me rëndësi që ish-pjesëtarët e UÇK-së të integroheshin në strukturat e reja të sigurisë, përfshirë forcat policore. Ai theksoi se nuk ka pasur një skemë të mirëfilltë që të përshkruante qartë se kush kishte autoritet në një zonë të caktuar dhe kujt i raportonin ata persona, transmeton lajmi.net.
“Një pjesë e mirë e kuptimit tonë mbi funksionimin e UÇK-së bazohej në vlerësimet e KFOR-it. Unë kam pasur kontakte të rregullta me përfaqësues të UÇK-së në nivele të ndryshme. Sigurisht që kishte individë të caktuar me të cilët UÇK-ja preferonte të komunikonte,” tha ai.
Covey përmendi gjithashtu se, së bashku me Bernard Kouchner, kanë pasur takime të rregullta me gjeneralin Mike Jackson, por sipas tij, informacionet e ndara në këto takime nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kuptuar plotësisht strukturën ushtarake të UÇK-së.
“Nuk bëhet fjalë për biseda të rastësishme. Që nga dita e parë në Kosovë, kemi zhvilluar takime të rregullta me Mike Jackson në selinë e tij, me qëllim shkëmbimin e informacionit,” deklaroi ai.
Në dëshminë e tij, Covey theksoi gjithashtu se një nga personat që kishte dënuar aktet e intolerancës etnike ndërmjet palëve ishte edhe Hashim Thaçi./lajmi.net/