Ish-deputetja e LDK-së: Dialogu strategjik u pezullua për shkak të dështimeve të Kurtit
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i quajtur ato “hipokrizi të pastër” dhe përpjekje të vonuar për të mbuluar, siç tha ajo, dështimin më të madh të Kurtit në raport me partnerët…

Lajme
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i quajtur ato “hipokrizi të pastër” dhe përpjekje të vonuar për të mbuluar, siç tha ajo, dështimin më të madh të Kurtit në raport me partnerët ndërkombëtarë.
Krasniqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka thënë se ky proces u fundos, sipas saj, nga papërgjegjësia dhe ”aventurat” politike të Kurtit.
“Deklaratat e Albin Kurtit për Dialogun Strategjik janë hipokrizi e pastër dhe përpjekje e vonuar për të mbuluar dështimin më të madh të tij në raport me partnerët ndërkombëtarë. Ky proces nuk u ndërpre nga Amerika, por u fundos nga papërgjegjësia dhe aventurat politike të Kurtit, i cili me qëllim shkatërroi besimin e aleatëve më të rëndësishëm të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka shtuar se sjellja e Kurtit po e çon vendin drejt krizave të reja në fusha të ndryshme.
“Kjo sjellje e tij jo vetëm që e ka izoluar Kosovën si kurrë më parë, por po e çon vendin drejt krizave të reja politike, ekonomike dhe të sigurisë. Të flasësh sot për dialog strategjik, pasi vetë ia ke mbyllur derën Kosovës në Uashington, është tallje me qytetarët dhe përpjekje e mjerueshme për të fshehur realitetin, se ky kryeministër e ka kthyer Kosovën në problem për aleatët, e jo në partner të besueshëm”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, vendit nuk i nevojiten “mashtrime mediatike”, por një lidership që mbron shtetin me seriozitet dhe forcon raportet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Deklarimet e Krasniqit pasuan deklaratën e Kurtit nga SHBA, ku gjatë një vizite atje, ka thënë se pezullimi i Dialogut Strategjik me Kosovën nga ana e SHBA-së është rezultat i veprimeve të Qeverisë për mbylljen e strukturave ilegale serbe në veri të vendit.
“Unë nuk mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se marrëdhëniet Kosovë–SHBA janë tridimensionale, mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci, megjithatë ai ka pranuar se në aspektin diplomatik ekzistojnë pengesa.
Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Kosovë më 12 shtator ka sqaruar se pezullimi i dialogut strategjik ka ardhur si pasojë e veprimeve të Qeverisë dhe rritjes së tensioneve në vend./kp