Dy kosovarë akuzohen për propagandë ekstreme: Vendosën flamuj të ISIS-it mbi shtëpi, thirrje për xhihad në TikTok e Facebook
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, të identifikuar me inicialet D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, me përmbajtje të rrezikshme ekstremiste dhe thirrje publike për përkrahje të terrorizmit. Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë përhapur urrejtje ndërfetare dhe ideologji ekstremiste përmes rrjeteve sociale Facebook dhe…

Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, të identifikuar me inicialet D.B. dhe E.B., për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, me përmbajtje të rrezikshme ekstremiste dhe thirrje publike për përkrahje të terrorizmit.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë përhapur urrejtje ndërfetare dhe ideologji ekstremiste përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok, duke propaganduar luftë të armatosur dhe thirrje për xhihad, si dhe duke përkrahur publikisht organizatën terroriste ISIS, transmeton lajmi.net.
Prokuroria ka paraqitur prova se D.B. dhe E.B. kanë vendosur flamuj të ISIS-it në kulmin e shtëpisë së tyre, si dhe kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e jashtme, veprime që sipas organit të akuzës kanë rrezikuar rendin dhe sigurinë publike.
Në përmbajtjen e shpërndarë nga ta, thuhet se përveç thirrjeve për bashkim në luftëra të huaja, D.B. ka shfaqur refuzim dhe gjuhë fyese ndaj të gjithë atyre që nuk e praktikojnë fenë sipas bindjeve të tij, përfshirë edhe shumicën e hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të vazhdohet masa e paraburgimit për D.B. dhe arresti shtëpiak për E.B., në përputhje me legjislacionin penal në fuqi./lajmi.net/