Dokumentari “Kthimi në Kosovë” që trajton historinë e masakrës në Obrinë e Epërme shfaqet në Parlamentin Evropian
Në prani të një numri ambasadorësh, deputetësh të Parlamentit Evropian dhe zyrtarësh të institucioneve të BE-së, në ambientet e Parlamentit Evropian u shfaq dokumentari “Kthimi në Kosovë”, që trajton historinë e masakrës në Obrinë e Epërme, kryer nga forcat serbe më 26 shtator 1998. Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, me…

Lajme
Në prani të një numri ambasadorësh, deputetësh të Parlamentit Evropian dhe zyrtarësh të institucioneve të BE-së, në ambientet e Parlamentit Evropian u shfaq dokumentari “Kthimi në Kosovë”, që trajton historinë e masakrës në Obrinë e Epërme, kryer nga forcat serbe më 26 shtator 1998.
Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, me mbështetjen e eurodeputetëve Lukas Mandl dhe Adnan Dibrani.
Në hapje të ngjarjes, eurodeputeti me origjinë nga Kosova, Adnan Dibrani, u shpreh i prekur nga fakti se ky film u shfaq para një audience evropiane.
“Ky film dokumenton një nga krimet e shumta monstruoze të Serbisë në Kosovë, por edhe flet për mbijetesën e popullit shqiptar dhe të vet Kosovës”.
Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, falënderoi organizatorët dhe theksoi rëndësinë e dokumentarit.
“‘Kthimi në Kosovë’ është një rrëfim për Besnik Deliun dhe masakrën e Obrisë, që është një nga kapitujt e errët të historisë së Kosovës. Por ajo nuk ishte një ngjarje e vetme. Ishte pjesë e një fushate sistematike terrori dhe dhune të ushtruar nga Serbia ndaj popullit të Kosovës. Këto krime – të dokumentuara, të dëshmuara, të pamohueshme – përbëjnë themelin e vetë pavarësisë së Kosovës së sotme”, u shpreh Bajrami para të pranishmëve.
Ai shtoi se Kosova sot synon një të ardhme evropiane.
“Kosova punon për ta lënë prapa të shkuarën, jo duke e harruar atë, por duke e shndërruar në një zotim për drejtësi, demokraci dhe paqe. Kjo e ardhme është horizonti natyral i popullit të Kosovës, që ka paguar me sakrificë dhe vuajtje për të drejtën për të jetuar i lirë”.
Dokumentari paraqiti historinë e Besnik Deliut, i cili si fëmijë pesëvjeçar mbijetoi masakrën ku u vranë 23 anëtarë të familjes së tij. Në panelin e diskutimit, ai i bëri thirrje BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, transmeton albanianpost.
“Ndali luftërat, promovoni paqen në mbarë botën”.
Po ashtu pas përfundimit të dokumentarit, eurodeputeti austriak Lukas Mandl, i bëri thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta njohin atë.
“Njohja e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt. Paqja, stabiliteti dhe siguria në Ballkanin Perëndimor varen edhe nga kjo”.
Edhe ambasadorë të pranishëm pohuan se krimet e kryera nga Serbia nuk duhet të mohohen, duke paralajmëruar se interesat ekonomike, përfshirë ato mbi litiumin, nuk duhet të mbivendosen mbi drejtësinë historike.
Në shtator të vitit 1998, gazetari britanik Julius Strauss, në atë kohë reporter për The Daily Telegraph, takoi pesëvjeçarin Besnik Deliu, i cili sapo kishte mbijetuar masakrën në Obri të Epërme, ku u vranë 23 anëtarë të familjes së tij. Më shumë se dy dekada më vonë, Julius dhe Besniku u ribashkuan për të zbuluar të vërtetën e asaj dite tragjike.