VV bojkoton seancën e jashtëzakonshme për buxhetin e vitit 2026 në Prishtinë: “Përparim Rama po tenton të legalizojë mashtrimet”
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka vendosur të bojkotojë seancën e jashtëzakonshme të thirrur për sot, në të cilën pritet të shqyrtohet propozim-vendimi për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026. Në një komunikatë për media, asamblistët e VV-së e kanë quajtur procesin e sjelljes së…

Lajme
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka vendosur të bojkotojë seancën e jashtëzakonshme të thirrur për sot, në të cilën pritet të shqyrtohet propozim-vendimi për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026.
Në një komunikatë për media, asamblistët e VV-së e kanë quajtur procesin e sjelljes së buxhetit si “të njëanshëm dhe jo transparent”, duke akuzuar kryetarin në largim, Përparim Rama, për shmangie të konsultimeve me Kuvendin dhe qytetarët, transmeton lajmi.net.
“Dokumenti më i rëndësishëm i Kuvendit, buxheti për vitin pasues, nuk mund të trajtohet si pronë personale e tij. Mungesa totale e transparencës dhe përfshirjes e bën të papranueshëm këtë proces,” thuhet në reagimin e VV-së.
Ndër të tjera, ata theksojnë se raporti i auditimit për vitin e kaluar ka identifikuar dhjetëra shkelje dhe keqpërdorime financiare në vlera prej miliona eurosh, por që, sipas tyre, kryetari Rama ka refuzuar ta sjellë në Kuvend, edhe pse ka detyrim ligjor ta bëjë një gjë të tillë.
VV po ashtu thotë se projektbuxheti i ri përfshin projekte që janë aktualisht objekt hetimesh nga organet e drejtësisë, si dhe projekte të fryra, të cilat – sipas tyre – janë të dizajnuara për të “mbuluar gjurmët e keqpërdorimeve të mëparshme”.
“Ky është një buxhet që tenton të fshehë skandalet e vjetra dhe të prodhojë skandale të reja. Ne nuk kemi votë për të legalizuar mashtrimet politike të Përparim Ramës dhe drejtorëve të tij,” deklaron VV.
Sipas tyre, një pushtet që është drejt fundit të mandatit dhe i përfshirë në skandale nuk ka as të drejtë, as legjitimitet për të përcaktuar fatin financiar të kryeqytetit për vitin 2026.
“Buxheti i Prishtinës duhet të jetë instrument zhvillimi për qytetarët, jo mjet për mbijetesën politike të Përparim Ramës,” përfundon komunikata e VV-së./lajmi.net/