Shërbimi Sekret eliminon një rrezik në Nju-Jork para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka çmontuar një rrjet të gjerë telekomunikimesh në Nju-Jork, për të cilin hetuesit thanë se paraqiste pengesë potenciale serioze ndaj sistemeve të telekomunikimit në qytetin e famshëm dhe kërcënim të mundshëm ndaj takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë. Në konfiskimin më të madh të…

Bota
Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka çmontuar një rrjet të gjerë telekomunikimesh në Nju-Jork, për të cilin hetuesit thanë se paraqiste pengesë potenciale serioze ndaj sistemeve të telekomunikimit në qytetin e famshëm dhe kërcënim të mundshëm ndaj takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë javë.
Në konfiskimin më të madh të llojit të vet, Shërbimi Sekret njoftoi të martën se kishte gjetur “ferma” me kartela SIM aktive në ndërtesa banesore të braktisura në më shumë se pesë lokacione.
Në përgjithësi, forcat e rendit zbuluan 300 serverë SIM – më shumë se 100 mijë kartela SIM – që mundësonin komunikim të enkriptuar anonim dhe që ishin në gjendje për dërgimin e 30 milionë mesazheve në minutë, raporton “CBS News”.
Zyrtarët thonë se këta serverë ishin aq të fuqishëm, saqë do të mund t’i çaktivizonin kullat e telefonave dhe e kishin aftësinë për bllokimin e komunikimeve emergjente si EMS-ja dhe dislokimin e policisë.
“Ky rrjet e kishte potencialin për t’i çaktivizuar kullat e telefonave celularë dhe në thelb ta fikte rrjetin celular në qytetin e Nju-Jorkut” – tha agjenti i posaçëm në detyrë i Shërbimit Sekret, Matt McCool, në një video të publikuar nga agjencia.
Një zyrtar me njohuri rreth hetimit iu tha gazetarëve se këtë javë, rrjeti i sofistikuar “mund të dërgonte mesazhe në tërë vendin brenda 12 minutave”. Më vonë, ai shtoi se “kjo ishte e organizuar mirë dhe e financuar mirë.”
Kërcënimet telefonike ndaj disa zyrtarëve të lartë amerikanë pranverën e këtij viti – përfshirë disa persona të mbrojtur nga Shërbimi Sekret – së pari e kishin nxitur fillimin e hetimit, por zyrtarët thonë se rrjeti u konfiskua brenda tri javëve të fundit.