Çfarë mendojnë qytetarët për fushatën e partive politike për zgjedhjet lokale?

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor ku qytetarët e komunave të Kosovës do të zgjedhin ansambleistët dhe kryetarët e komunave të tyre. Fushata zgjedhore ka nis më 13 shtator dhe kandidatët po dalin me premtime e po ofrojnë ofertat nga programet e tyre për zgjidhje të problemeve në komuna. Por, sa po i…

Lajme

23/09/2025 15:19

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor ku qytetarët e komunave të Kosovës do të zgjedhin ansambleistët dhe kryetarët e komunave të tyre.

Fushata zgjedhore ka nis më 13 shtator dhe kandidatët po dalin me premtime e po ofrojnë ofertat nga programet e tyre për zgjidhje të problemeve në komuna. Por, sa po i besojnë qytetarët këtyre premtimeve?

Xhevat Murseli, qytetar i komunës së Fushë Kosovës shprehet se nuk po e përcjellë fushatën pasi që kandidatët gjithmonë japin premtime por nuk po i mbajnë ato.

“Jo, nuk jam duke e përcjellë fushatën. Premtime këta gjithmonë japin por pak që i mbajnë ato premtime. Si deri më tash.”, tha ai

Ndërsa, Ramadan Azizi, qytetar i komunës së Podujevës shprehet se është duke e përcjellë fushatën por kur u pyet se sa beson se kandidatët do t’i mbajnë premtimet që po i japin përgjatë fushatës, ai theksoi se kurrë nuk beson se do t’i përmbushin të gjitha premtimet.

“Jam duke e përcjellë deri diku, jo të gjithë. Kurrë, asnjëherë. Diçka ndoshta po, por të gjitha pak. Ato që i flasin kurrë nuk ju dalin, në fund kur i mbledh, ju dalin 20 ose 30, nuk ju dalin më shumë.”, tha ai

Behgjet Gashi, qytetar i Fushë Kosovës tha se nuk ka besim në partinë e cila ka pasur pushtetin lokal në Fushë Kosovë deri më tani, duke theksuar se ata kurrë nuk kanë mbajtur premtimet e dhëna. Ai shtoi se ka shpresë në partitë tjera.

“Po, jemi duke e përcjellë, ka filluar gjithçka në rregull po shkon mirëpo, këtu pushtetin e ka pasur LDK-ja që 20 vite, me sa di unë. Por nuk është që kanë bërë diçka mrekulli, por e kanë bërë kaos qytetin. Tash ky nuk ka se çka mban premtim, po flas për LDK-në. Nuk ka çfarë premtimi të mbajë sepse nuk kanë mbajtur kurrë asnjë premtim, kurse partitë tjera besoj se po”, tha Gashi

Edhe në kryeqytet, qytetarët kishin një mendim të ngjashëm, duke theksuar se nuk po besojnë se kandidatët do t’i mbajnë premtimet që po i japin përgjatë fushatës.

“Premtimet janë vetëm gënjeshtra para fushatës, kur të përfundojnë zgjedhjet askush nuk i mban premtimet. Na ka ardhur këtu me premtime., tha ai

Një qytetar tjetër tha se kandidatët gjithmonë premtojnë për mirë por pas marrjes së mandatit nuk punojnë.

“Po jam duke e përcjellë. Ata gjithmonë premtojnë mirë, asnjëri nuk thotë se unë nuk punoj, por kur po e marrin mandatin pastaj po shkon puna jo si po thonë ata. Sikur Albin Kurti që ka premtuar, a ka bërë ndonjë gjë ai? Na izoloi të gjithë shtetin dhe asgjë.”, tha ai.

Në përmbushje të detyrimeve ligjore, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) sot ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më datës 12 tetor 2025.

Sipas AIP për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve nga Partitë Politike dhe subjektet e përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon zbatimin e detyrimeve ligjore dhe të ndërmarrjen e veprimeve si në vijim: Të sigurojnë çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj, Të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik dhe të mos ekspozohen të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail, mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak).