I vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj, Jelena Gjukanoviqit që akuzohet për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, Jelena Gjukanoviqit, punonjëses së OSBE-së. Gjukanoviq, do të jetë në paraburgim deri më 18 nëntor të këtij viti. Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi. “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, Jelena Gjukanoviqit, punonjëses së OSBE-së.
Gjukanoviq, do të jetë në paraburgim deri më 18 nëntor të këtij viti.
Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehures J.Gj., gjyqtari i kësaj çështje penale pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 19.09.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtës iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet deri me datë 18.11.2025”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, ndërsa Prokuroria Speciale i ka ngritur aktakuzën më 4 shtator të këtij viti.
Gjukanoviq, sipas Prokurorisë Speciale, nga një datë e pacaktuar deri kur është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, derisa punonte si zyrtare e OSBE-së në Kosovë, me vetëdije ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.
“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, ka shkruar Prokuroria Speciale në aktakuzë.
Sipas kësaj Prokurorie, Gjukanoviq derisa punonte në OSBE, bazuar në udhëzimet që ka marrë nga tani i dënuari për spiunazh Aleksandër Vlajic, gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës.
“Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në Beograd të Serbisë. Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosvoës.
Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt 2025, ndërsa me 2 mars të këtij viti i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Asaj i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Më 02.03.2025 se Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se e dyshuara për spiunazh në Mitrovicë, është anëtare e OSBE-së. Përmes një reagimi, OSBE-ja kishte thënë se janë në kontakt me përfaqësuesin e saj ligjor dhe po monitorojnë situatën.
“Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit”, thuhej në reagim.