Ademi: Bersant Celina djaloshi që la Norvegjinë për Kosovën – zemra e tij rreh vetëm për fanellën dardane
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka ndarë një mesazh emocional në rrjetet sociale për futbollistin e njohur Bersant Celina, i cili në mënyrë të palëkundur zgjodhi të përfaqësojë Kosovën, ndonëse kishte opsione të tjera si Norvegjia. Ademi ka kujtuar rrugëtimin e Celinës që në moshë të re, duke e cilësuar…

Sport
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka ndarë një mesazh emocional në rrjetet sociale për futbollistin e njohur Bersant Celina, i cili në mënyrë të palëkundur zgjodhi të përfaqësojë Kosovën, ndonëse kishte opsione të tjera si Norvegjia.
Ademi ka kujtuar rrugëtimin e Celinës që në moshë të re, duke e cilësuar si një nga figurat kyçe në ndërtimin e Kombëtares së Kosovës dhe një nga futbollistët që gjithmonë ka luajtur me zemër për vendin, raporton lajmi.net
“Me Bersant Celinën, djaloshin që la Norvegjinë për të veshur fanellën e Kosovës. Që në moshën 16-vjeçare u paraqit me Kombëtaren U21 në ndeshjet zyrtare, ndërsa vetëm një vit më vonë ishte në ekip me Kombëtaren A, në miqësoren historike Kosovë – Haiti, të zhvilluar në Mitrovicë”, ka shkruar Ademi.
Ai vlerësoi teknikën e jashtëzakonshme të Celinës, duke kujtuar momentin kur ai ishte pjesë e Manchester City-t dhe se si shumë shpejt fitoi zemrat e tifozëve dardanë.
“Talenti i Manchester City-t, i njohur për teknikën e tij të jashtëzakonshme, u bë shpejt idhulli i tifozëve ‘Dardanët’. Jemi mirënjohës që, ndonëse kishte vështirësi në komunikim në gjuhën shqipe, Bersanti pa asnjë hezitim zgjodhi Kosovën me zemër. Për ne, ai ka një rol të veçantë në ndërtimin e kësaj Kombëtareje dhe kontributi i tij do të vlerësohet gjithmonë”, shtoi presidenti i FFK-së.
Celina ka kaluar një periudhë të vështirë me lëndime dhe ndërrime të shpeshta klubesh, por sipas Ademit, tashmë ai është kthyer në formën e tij më të mirë.
“Pasi kaloi një periudhë të vështirë me lëndime dhe ndërrime klubesh, Bersanti tashmë është rikthyer fuqishëm, duke na kujtuar magjinë e tij të zakonshme në fushën e gjelbër. Kënaqësi biseda dhe qëndrimi me djaloshin të cilit që nga dita e parë zemra i ka rrahur vetëm për Kosovën”, përfundoi Ademi.
Bersant Celina, i lindur në Prizren dhe i rritur në Norvegji, mbetet një ndër lojtarët më të dashur për tifozët dhe një shembull për futbollistët e rinj që e ndjejnë Kosovën në zemër./Lajmi.net/