4 zyrtarë policorë u arrestuan nën dyshimin për manipulim të provave, Gjykata në Mitrovicë refuzon kërkesën për arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak ndaj katër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të dyshuar për fshehjen dhe manipulimin e provave. Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net Gjykata ka konfirmuar se është refuzuar si e pabazuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për caktimin e masës së paraburgimit shtëpiak ndaj…

Lajme

19/09/2025 14:25

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak ndaj katër zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të dyshuar për fshehjen dhe manipulimin e provave.

Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net Gjykata ka konfirmuar se është refuzuar si e pabazuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për caktimin e masës së paraburgimit shtëpiak ndaj të pandehurve.

“Ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve Q.K., B.M., L.T., dhe F.A., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigje.

Në aktvendim theksohet gjithashtu se refuzohet si e pabazuar kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak e Prokurorisë në Mitrovicë ndaj të pandehurve: Q.K, B.M, L.T dhe F.A dhe me këtë rast gjykata ka theksuar që të njëjtit të lëshohen menjëherë dhe të mbrohen në liri.

Në përgjigjen e dhënë nga gjykata thuhet po ashtu se gjyqtarja e procedurës paraprake,pas shqyrtimit të kërkesës së bërë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, kundërshtimeve dhe argumenteve të paraqitura nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre, si dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës ka vlerësuar se nuk ka nevojë për caktimin e ndonjë mase.

“Për këtë arsye, gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe ka urdhëruar që të pandehurit të lihen në liri, duke theksuar se nuk duhet zbatuar një masë më e rëndë kur është e mjaftueshme një masë më e butë për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurë”.

Ndryshe Inspektorati Policor ka arrestuar katër zyrtarë policorë në Mitrovicë, nën dyshimin për fshehje dhe manipulim të provave.

Policët e arrestuar në këtë rast janë nga stacioni policor në Mitrovicë të jugut: Qëndrim Krasniqi, Besnik Mustafa, Labinot Tërnava dhe Fatjon Ademi.

Nga informacionet e para të njëjtit dyshohen për manipulim të provave në një rast që ka të bëjë me të shtëna me armë zjarri në një aheng, rast ky i cili kishte ndodhur ditë më parë, saktësisht më 13.09.2025.

Në lidhje me këtë rast, Policia kishte pranuar një telefonatë se në një villë në një fshat të Mitrovicës janë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri ku edhe kishte muzikë të lartë. Me këtë rast policët i janë përgjigjur duke shkuar në vendin e ngjarjes, me c’rast kishin kontaktuar personin që ka organizuar festën dhe e kanë pyetur se a keni shtënë me armë zjarri – ku personi në fjalë e kishte mohuar.

Ky rast siç pretendohet nuk është proceduar anipse dëshmitarët që kanë qenë pjesëmarrës në këtë aheng kanë thënë se zyrtarët policorë kanë gjetur edhe gëzhoja të armës.

Duke shkuar tutje, policët pretendohet se nuk kanë kërkuar fare armë, as nuk kanë kërkuar për personat që kishin shkrepur me armë zjarri, e duke anashkaluar kështu çdo procedurë të regjistrimit të rastit deri edhe tek gjetja e gëzhojave.

Kësisoj këta zyrtarë policorë dyshohen për manipulim me prova.

E pas këtij vendimi, ankesa është e lejuar që të bëhet brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të këtij aktvendimi. Pas këtij vendimi nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, palët kanë të drejtë që t’i drejtohen Gjykatës së Apelit./Lajmi.net/