Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë për krime lufte në mungesë ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave serbe
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave të nacionalitetit serb, me inicialet L.D. dhe V.O., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, të kryera gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në qytetin e Gjakovës në vitet 1998-1999. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje me…

Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave të nacionalitetit serb, me inicialet L.D. dhe V.O., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, të kryera gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në qytetin e Gjakovës në vitet 1998-1999.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, transmeton lajmi.net.
“Ata dyshohen për pjesëmarrje në vrasje, keqtrajtime, arrestime arbitrare, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së popullsisë civile shqiptare,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Vrasje dhe keqtrajtime në mars të vitit 1999
Ngjarjet specifike për të cilat ngarkohen të pandehurit ndodhën më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu” në Gjakovë, gjatë një aksioni të forcave policore serbe ku morën pjesë edhe L.D. dhe V.O., në cilësinë e zyrtarëve policorë.
Gjatë këtij aksioni:
-
Është vrarë një civil shqiptar,
-
Janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht gjashtë civilë të tjerë.
Prokuroria sqaron se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin edhe M.M., S.G., B.G., B.Sh., A.C. dhe Q.Sh. Personat ishin detyruar të ngarkonin materiale humanitare në kamionët e policisë, e më pas ishin futur me dhunë në kamion dhe dërguar në stacionin policor të Gjakovës.
Keqtrajtim brutal në stacionin policor
Në stacion, viktimat ishin ndarë nëpër qeli të ndryshme dhe kishin qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar me shufra gome, shqelma dhe grushte, nga të pandehurit dhe pjesëtarët e tjerë të policisë serbe.
Një nga të arrestuarit, M.M., ishte gjetur i vrarë më 26 mars 1999, në afërsi të urës së Taliqit në Gjakovë./lajmi.net/