VV e vendos ish-asamblistin e saj në krye të Spitalit të Prizrenit – Hajdari merr zyrtarisht detyrën
Osman Hajdari ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. dr. Daut Mustafa” në Prizren, një lëvizje që shihet si pjesë e procesit të kapjes së institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes vendosjes së njerëzve të afërt me partinë në pozita kyçe. Hajdari është emërim i njohur në qarqet politike lokale. Ai…

Lajme
Osman Hajdari ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm “Prim. dr. Daut Mustafa” në Prizren, një lëvizje që shihet si pjesë e procesit të kapjes së institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes vendosjes së njerëzve të afërt me partinë në pozita kyçe.
Hajdari është emërim i njohur në qarqet politike lokale. Ai ka qenë asamblist i VV-së në Komunën e Prizrenit, si dhe drejtor i administratës komunale gjatë mandatit të ish-kryetarit Mytaher Haskuka, gjithashtu nga radhët e Vetëvendosjes.
Sipas njoftimit zyrtar, Hajdari e ka marrë detyrën të premten, nga dr. Shefki Xharra, i cili e ka ushtruar funksionin e ushtruesit të detyrës që nga 10 korriku 2025, transmeton lajmi.net.
“Msc. Osman Hajdari, të premten, zyrtarisht ka marrë detyrën e drejtorit ekzekutiv të Spitalit të Përgjithshëm ‘Prim. dr. Daut Mustafa’ në Prizren. Detyra iu dorëzua nga dr. Shefki Xharra,” thuhet në njoftim.
Emërimi i tij vjen vetëm dy muaj pasi ishte shënjestruar nga një grup kriminal, që kishte vendosur një bombë në veturën e tij. Në atë kohë, Hajdari ishte ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) – një tjetër pozitë e rëndësishme në sektorin publik të udhëhequr nga VV.
Ky emërim i radhës shihet si pjesë e një modeli më të gjerë ku Lëvizja Vetëvendosje po forcon kontrollin mbi institucionet publike, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë dhe administratës lokale, përmes vendosjes së kuadrove partiakë në pozita vendimmarrëse./lajmi.net/