Kurti tha se “nuk jemi prishur me Amerikën” – Matoshi: Ai e di çfarë mesazhi ka marrë nga CIA dhe Ambasada Amerikane
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot për herë të parë publikisht pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti u përpoq të minimizojë ndikimin e këtij pezullimi, duke thënë se nuk ka ndarje me SHBA-në, por vetëm “dallime”: “Nuk…

Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot për herë të parë publikisht pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti u përpoq të minimizojë ndikimin e këtij pezullimi, duke thënë se nuk ka ndarje me SHBA-në, por vetëm “dallime”:
“Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Qeveria i trajton seriozisht deklaratat e Ambasadës Amerikane. Opozita po e stërmadhon çka ndodhi,” deklaroi Kurti.
Por ndryshe e sheh këtë situatë analisti, Halil Matoshi.
Në një prononcim për Lajmi.net, ai thotë se Kurti është plotësisht i vetëdijshëm për mesazhet që ka marrë nga diplomacia dhe inteligjenca amerikane – përfshirë mesazhet që sipas tij janë transmetuar nga ish-shefi i CIA-s, William Burns, ish-ambasadori Jeffrey Hovenier, dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, znj. Parttipati.
“Albin Kurti e di çfarë mesazhi ka marrë nga ish-shefi i CIA-s, Burns. Ai e di çka i ka thënë ish-ambasadori i SHBA-së, Hovenier, e çka e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Parttipati. Opozita nuk ka as çka stërmadhon, as çka përhumb,” u shpreh Matoshi.
Sipas tij, raportet me SHBA-në kanë arritur në nivelin më të ulët historik, dhe paralajmëron se kryeministri Kurti e di edhe pasojat që do të vijnë nëse, siç u shpreh ai, “vazhdon të jetë i papërgjegjshëm”./lajmi.net/