Jakaj: Kostoja financiare për me dërgu një fëmijë në arsimin publik i afrohet kostos në sektorin privat

Sipas Naim Jakajt të IKD-së, kostoja financiare për të dërguar një fëmijë në arsimin publik po afron atë të arsimit privat, duke krijuar një situatë paradoksale për familjet kosovare. Shkollat publike nuk ofrojnë mësim plotësisht ditor, dhe prindërit, të cilët punojnë nga tetë orë në ditë, detyrohen të paguajnë për qendra ditore private, ku kostoja…

Lajme

18/09/2025 20:18

Sipas Naim Jakajt të IKD-së, kostoja financiare për të dërguar një fëmijë në arsimin publik po afron atë të arsimit privat, duke krijuar një situatë paradoksale për familjet kosovare.

Shkollat publike nuk ofrojnë mësim plotësisht ditor, dhe prindërit, të cilët punojnë nga tetë orë në ditë, detyrohen të paguajnë për qendra ditore private, ku kostoja mund të arrijë deri në 150 euro në muaj. Në të njëjtën kohë, shkollat private kushtojnë rreth 250 euro e më shumë në muaj, që do të thotë se arsimi publik sot kushton pothuajse dy të tretat e kostos së arsimit privat, transmeton lajmi.net.

Jakaj thekson se përgjegjësia për këtë situatë qëndron kryesisht te kryetarët e komunave dhe qeveria, të cilët sipas tij, nuk kanë arritur ta përmbushin këtë proces në katër vitet e fundit. Ai nënvizon rëndësinë që arsimi publik të bëhet plotësisht ditor, duke thënë: “Arsimi publik duhet me u shndërru në tërësisht ditor, ngase vetëm kështu mund të sigurohemi se është falas, cilësor dhe i barabartë për të gjithë fëmijët.”

Në prag të zgjedhjeve lokale, Jakaj i bën thirrje qytetarëve që të kërkojnë llogari nga kandidatët dhe kryetarët e ardhshëm: “Kryetarët e zgjedhur duhet ta dinë se pas çdo premtimi të dhënë, do të matet puna e tyre me rezultate konkrete. Në të kundërtën, ata bëhen përgjegjës për ngarkesën buxhetore të secilës familje kosovare”./lajmi.net/