Haziri pas pezullimit të Dialogut Strategjik: ‘Shuplaka’ e Uashingtonit duhet të dëgjohet nga Presidentja dhe Kuvendi

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e quajtur këtë një “shuplakë” të rëndë ndaj Qeverisë Kurti dhe një sinjal alarmues për gjithë spektrin institucional në vend. Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Haziri e ka përshkruar…

Lajme

12/09/2025 16:35

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e quajtur këtë një “shuplakë” të rëndë ndaj Qeverisë Kurti dhe një sinjal alarmues për gjithë spektrin institucional në vend.

Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Haziri e ka përshkruar këtë vendim si pasojë direkte të mungesës së veprimeve të qeverisë për të gjithë qytetarët dhe thekson se ndërsa populli i Kosovës vazhdon të mbetet i mbrojtur nga SHBA-të, kjo nuk vlen më për Qeverinë Kurti dhe kabinetin e saj.

“Populli mbetet i mbrojtur nga qeveria amerikane, por jo kjo Qeveri dhe kryeministri në detyrë e kabineti i tij,” ka shkruar Haziri.

Ai shton se prej tre vitesh, Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur përkushtim të pakushtëzuar ndaj Kosovës, duke kërkuar në të njëjtën kohë veprime konkrete nga qeveria për të garantuar progres gjithëpërfshirës.

“Ka tri vjet që aleati më i madh dhe mbështetësi i pakushtë, SHBA, ka nënvizuar marrëdhëniet e pakushtëzuara, mbështetjen e pakushtëzuar dhe progresin e dëshiruar për popullin e Kosovës,” thekson ai, duke shtuar se askush nuk e kishte pritur një situatë kaq të rëndë.

Haziri e ka quajtur vendimin e SHBA-ve një “shuplakë” që duhet të dëgjohet fort dhe qartë në institucionet më të larta të vendit, përfshirë Presidencën dhe Kuvendin.

“Kjo ‘shuplakë’ e Uashingtonit duhet të dëgjohet shumë. Duhet ta dëgjoj Presidentja e para, por edhe Kuvendi,” ka deklaruar ai.

Në fund, Haziri kujton lidhjen historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe thotë se është koha për veprime të qarta që kjo marrëdhënie të ruhet dhe forcohet.

“Roli historik dhe amaneti i përhershëm është: marrëdhënie speciale me SHBA-të. Duhet veprim për të ruajtur këtë mision,” përfundon Haziri, me një apel reflektues: “Ku e lamë, e ku na mbeti!”/Lajmi.net/