OVL-UÇK reagon pas pezullimit të dialogut strategjik: “Kosova po paguan çmimin e egoizmit të Kurtit e Osmanit”

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim të thellë për vendimin e SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë lajm si “një sinjal alarmues për të ardhmen e shtetit tonë”. Në reagim, OVL-UÇK thekson se “çdo krizë politike që dëmton marrëdhëniet me Shtetet…

Lajme

12/09/2025 15:52

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka shprehur shqetësim të thellë për vendimin e SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë lajm si “një sinjal alarmues për të ardhmen e shtetit tonë”.

Në reagim, OVL-UÇK thekson se “çdo krizë politike që dëmton marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara prek themelet e shtetit tonë” dhe falënderon aleatin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme, transmeton lajmi.net.

Por, ata kritikojnë ashpër udhëheqjen në detyrë, duke thënë se “Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë treguar papërgjegjësi të jashtëzakonshme” dhe se me “arrogancën dhe retorikën e tyre kanë rrënuar raportet me partnerin tonë kryesor”.

OVL-UÇK apelon për unitet kombëtar dhe përgjegjësi shtetërore, duke nënvizuar se “Kosova nuk guxon të humbasë arritjet historike dhe as të dëmtojë aleancën jetike me SHBA-të”. Ata përkujtojnë se “luftëtarët e UÇK-së dikur ishin në front për lirinë e Kosovës, sot jemi ushtarë të përkushtuar të aleancës me Amerikën”.

Komunikata e plotë:

REAGIM
OVL UÇK me shqetësim të madh ka pranuar lajmin për pezullimin e dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. Ky është një lajm i rëndë dhe një sinjal alarmues për të ardhmen e shtetit tonë.
Çdo krizë politike që dëmton marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara prek vetë themelet e shtetit tonë.
Ne shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për Kosovën dhe theksojmë se kjo marrëdhënie është jetike dhe e pazëvendësueshme për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë.
Për fat të keq, Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë treguar papërgjegjësi të jashtëzakonshme dhe dëmprurëse. Me arrogancën e tyre politike, me retorikën e papërgjegjshme dhe me veprimet që shkelin mbi interesin strategjik të Kosovës, ata kanë rrënuar raportet me partnerin tonë kryesor. Sot Kosova po paguan çmimin e egoizmit të tyre, të cilët në vend që të jenë shërbyes të popullit, janë shndërruar në pengues të së ardhmes së shtetit.
Në këtë moment kritik, OVL UÇK apelon për unitet kombëtar dhe përgjegjësi shtetërore. Kosova nuk guxon të humbasë arritjet e saj historike dhe as të dëmtojë aleancën e saj jetike me SHBA-të. Luftëtarët e UÇK-së dikur ishin në front për lirinë e Kosovës, sot jemi ushtarë të përkushtuar të aleancës me Amerikën.
OVL UÇK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./lajmi.net/