Haradinaj takon ambasadorin australian: E njoftova për rolin konstruktiv të Aleancës në dhënien e zgjidhjes bllokadës institucionale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin jo-rezident të Australisë në Kosovë, Richard Rodgers, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet politike në vend, situatën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Australisë për Kosovën. Përmes një njoftimi publik, Haradinaj tha se e ka informuar ambasadorin australian për…

Lajme

12/09/2025 12:12

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është takuar me ambasadorin jo-rezident të Australisë në Kosovë, Richard Rodgers, me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet politike në vend, situatën e sigurisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Australisë për Kosovën.

Përmes një njoftimi publik, Haradinaj tha se e ka informuar ambasadorin australian për proceset që po kalon Kosova, përfshirë roli konstruktiv që AAK ka luajtur në zhbllokimin e situatës institucionale në Kuvendin e Kosovës, e cila lidhet me çështjen e përfaqësimit të komunitetit serb në kryesinë e legjislativit, transmeton lajmi.net.

“E njoftova ambasadorin Rodgers edhe për rolin konstruktiv të Aleancës në dhënien e zgjidhjes bllokadës institucionale,” tha Haradinaj.

Ai vlerësoi mbështetjen e hershme dhe të qëndrueshme të Australisë për shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke shprehur shpresën se kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të zhvillimit të vendit.

“Australia ishte ndër shtetet e para njohëse të Republikës së Kosovës dhe mbështetëse e madhe në të gjitha proceset integruese,” shtoi Haradinaj.

Takimi vjen në një kohë kur Kosova përballet me tensione të brendshme institucionale, ndërkohë që mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë konsiderohet kyçe për stabilitetin dhe rrugën euroatlantike të vendit./lajmi.net/