Krasniqi: Sulmet e Kurtit dhe Osmanit ndaj drejtësisë dhe mediave synojnë ruajtjen e pushtetit, jo luftimin e ndikimit serb

Aktivisti i shoqërisë civile, Albert Krasniqi, ka kritikuar ashpër lidershipin shtetëror të Kosovës, duke i cilësuar si të koordinuara dhe të qëllimshme sulmet ndaj sistemit të drejtësisë dhe mediave të pavarura. Sipas tij, veprimet e fundit të Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministrit Albin Kurti nuk kanë të bëjnë me luftën kundër ndikimeve serbe, siç pretendohet…

Lajme

12/09/2025 11:56

Aktivisti i shoqërisë civile, Albert Krasniqi, ka kritikuar ashpër lidershipin shtetëror të Kosovës, duke i cilësuar si të koordinuara dhe të qëllimshme sulmet ndaj sistemit të drejtësisë dhe mediave të pavarura.

Sipas tij, veprimet e fundit të Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu dhe Kryeministrit Albin Kurti nuk kanë të bëjnë me luftën kundër ndikimeve serbe, siç pretendohet publikisht, por me përpjekje për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet që ai ofron, transmeton lajmi.net.

“Gjithnjë e më qartë po shfaqet fakti se sulmet e sinkronizuara të Osmani-Sadriut dhe Kurtit ndaj gjyqësorit dhe mediave nuk kanë të bëjnë me ndonjë ‘luftë kundër lidhjeve me Serbinë’, por synojnë vetëm ruajtjen e pushtetit dhe privilegjeve që ai ofron”, ka shkruar Krasniqi në një postim publik.

Ai thekson se kjo është arsyeja pse përbërja e Gjykatës Kushtetuese mbahet e paplotë, duke aluduar se pushteti synon emërimin e figurave që do të legjitimojnë vendime me karakter kundërkushtetues.

“Në të njëjtën linjë, është bllokuar edhe zgjedhja e Kryeprokurorit, pasi kërkohet dikush i gatshëm të përdorë ndjekjen penale si mjet presioni, madje edhe ndaj gazetarëve kritikë,” shton ai.

Krasniqi paralajmëron se, në momentet kur pushteti ndjen rrezik, manovrat politike për kontroll të institucioneve bëhen më agresive dhe më të dukshme./lajmi.net/