Kryeziu: Lista Serbe dhe Nenad Rashiq u bënë bashkë dhe folën me një zë: pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, nuk ka Kuvend funksional
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me bllokadën institucionale në Kuvendin e Kosovës dhe ngërçin rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb. Ai thotë se Lista Serbe nuk është thjesht në kërkim të përsëritjes së votimit, por ka një qëllim më të thellë politik e juridik, transmeton lajmi.net.…

Lajme
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me bllokadën institucionale në Kuvendin e Kosovës dhe ngërçin rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Ai thotë se Lista Serbe nuk është thjesht në kërkim të përsëritjes së votimit, por ka një qëllim më të thellë politik e juridik, transmeton lajmi.net.
“Nuk e kontestoj të drejtën e komunitetit serb që të ketë një nënkryetar të Kuvendit. Do të ishte absurde ta bëja këtë. Por nuk ka asnjë rëndësi kush zgjidhet nga ana e tyre,” shkruan Kryeziu. Ai paralajmëron se pas kërkesës së Listës Serbe qëndron një strategji e qartë për ta vendosur Gjykatën Kushtetuese përballë një vendimi që mund të thellojë krizën institucionale.
Sipas Kryeziut, Lista Serbe po synon që përmes Gjykatës Kushtetuese të shpallë se Kuvendi nuk mund të konstituohet dhe të funksionalizohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. “Dhe me masën e përkohshme, Gjykata tashmë na dha sinjalin se anon nga kjo logjikë”, shkruan ai.
Ai thekson se partitë kryesore shqiptare – VV, PDK, LDK dhe AAK – duhet të mësojnë nga veprimi i bashkërenduar i përfaqësuesve politikë serbë. Kryeziu vë në dukje faktin se edhe kundërshtarët politikë serbë, Lista Serbe dhe Nenad Rashiq, u bashkuan në qëndrimin se pa nënkryetar serb nuk ka Kuvend funksional.
“Ky është unitet serb për interesin e tyre kombëtar”, thotë ai, duke shtuar me shqetësim: “Pse serbët dinë të bashkohen për kauzën e tyre, e ne shqiptarët bëhemi pikë e pesë, helmojmë njëri-tjetrin dhe shpesh edhe kombin tonë?”./lajmi.net/