Jasharaj reagon ndaj Osmanit: SBASHK-u s’ka shënime nga terreni se gjendja në shkollat tona është kaq e mjerë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim lidhur me incidentin e djeshëm theksoi se gjatë pesë vjetëve kur vajzat e saj ndoqën mësimin në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë janë përballur me probleme të shumta infrastrukturore gjatë shkollimit. Osmani ceku problemet me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës, e ngrohjes, bllokada totale të…

Lajme

11/09/2025 15:41

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim lidhur me incidentin e djeshëm theksoi se gjatë pesë vjetëve kur vajzat e saj ndoqën mësimin në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë janë përballur me probleme të shumta infrastrukturore gjatë shkollimit.

Osmani ceku problemet me kanalizime, ndërprerje të ujit, rrymës, e ngrohjes, bllokada totale të tualeteve,mungesë pastrimi për muaj të tërë, mungesë sigurie në shkollë, konfiskim të mjeteve të rrezikshme nga disa nxënës e shumëçka tjetër.

E në lidhje me këto çështje të cekura nga Presidentja Osmani ka folur kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, iu kundërpërgjigj Osmanit duke thënë se SBASHK-u nuk është në dijeni për këto problem që ka cekur Osmani.

“SBASHK-u nuk ka shënime nga terreni se gjendja në shkollat tona është aq e mjerë ashtu si e paraqet Presidentja gjatë deklaratës së saj duke u munduar të arsyetohet pse fëmijët e saj qenkan në shkollë privatë dhe kushton aq shumë”, tha Jasharaj.

Ai potencon se nuk është zgjidhje që udhëheqësit të dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private e të lënë fëmijët tjerë në kushte të rënduara.

“Në anën tjetër SBASHK-U mendon se nëse vërtetë gjendja në shkolla qëndron e tillë, pra në shkollat publike, atëherë nuk është zgjidhje që secili udhëheqës t’i marrë fëmijët e tij e t’i dërgoj në shkolla private duke i lënë mijëra nxënës të punojnë në kushte të tilla të rënduara”, shtoi ai.

Gjithashtu, Jasharaj theksoi se kanë kërkuar nga institucionet përmirësimin e kushteve por Qeveria aktuale s’ka ndërmarrë asgjë.

“SBASHK-u në secilin takim që e ka pas kudo me institucione, ka kërkuar përmirësimin e kushteve të punës në shkolla, mirëpo Qeveria aktuale nuk ka bërë asgjë që të përmirësohen kushtet e punës në shkollat e Kosovës”, tha Jasharaj.