Krerët e shtetit nderojnë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vendosën lule pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës, si shenjë respekti dhe kujtimi për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se sot u kujtuan edhe një herë viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist të 11 shtatorit…

Lajme
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës vendosën lule pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës, si shenjë respekti dhe kujtimi për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se sot u kujtuan edhe një herë viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist të 11 shtatorit në SHBA dhe u nderuan për heroizmin ata që iu përgjigjën këtij sulmi duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët.
Ajo theksoi se më 11 shtator bota u nda në dysh – në ata që besojnë në vlerat e lirisë dhe humanizmit, dhe në ata që besojnë në terrorizëm.
Sipas saj, Kosova me krenari ka qëndruar dhe qëndron me SHBA-në jo vetëm për të kujtuar viktimat, por edhe për të luftuar pa u ndalur terrorizmin kudo që ndodh.
“Jemi së bashku ne kryetarin e Kuvendit, me kryeministrin dhe përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA-së për t’i kujtuar edhe njëherë të gjitha viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist të 11 shtatorit në SHBA dhe njëkohësisht për të nderuar edhe heroizmin e treguar nga të gjithë ata që u përgjigjen ndaj këtij sulmi duke rrezikuar edhe jetën e vetë për të shpëtuar edhe jetën e të tjerëve. Në atë ditë bota u nda në dysh – në ata që thellësisht besojnë në vlerat e lirisë, vlerat e humanizmit dhe qëndrojnë bashkërisht në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftim të terrorizmit. Dhe pjesa tjetër ishin ata që besojnë në terrorizëm dhe shfrytëzojnë dashakeqësinë e terrorizmit për të shkaktuar dhimbje tek të tjerët. Kosova me krenari ka qëndruar dhe qëndron me SHBA-në jo vetëm në kujtim dhe nderim të viktimave por për ta luftuar në mënyrë efektive të pa ndalur terrorizmin kudo që ndodhë ai. Jemi krenarë që jemi partnerë të palëkundur të SHBA-së”, tha Osmani.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha tha se 11 Shtatori ishte sulm kundër vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Ai u shpreh se populli shqiptar qëndron krah për krah me popullin amerikan dhe se Kosova është mirënjohëse dhe solidarizohet me ta në këtë ditë të vështirë.
“Është me rëndësi që 11 shtatori ka qenë sulm ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Populli ynë shqiptar gjendet krah popullit amerikan dhe jemi shumë mirënjohës dhe solidarizohemi me ta në këtë ditë të vështirë ku 24 vite më herët rreth 3 mijë viktima që pësuan me humbje jete, ndër ta kanë qenë edhe 3 shqiptarë. Ne qëndrojmë krahas vlerave të përbashkëta që i ndajmë me popullin amerikan për lirinë dhe demokracie dhe çfarëdo terrori që i kundërshton këto vlera”, tha Basha.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se homazhet e sotme i dedikohen viktimave të sulmit terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se ky sulm mizor jo vetëm që ndryshoi marrëdhëniet ndërkombëtare, por shërbeu edhe si paralajmërim për rreziqet e mëdha që mund ta shoqërojnë këtë shekull.
Kurti potencoi se sot terrorizmin nuk e kryejnë vetëm aktorë parashtetërorë, por edhe vetë disa shtete. Ai kujtoi se edhe Kosova ka përjetuar raste të tilla, kur struktura ilegale të udhëhequra nga Beogradi zyrtar kanë kryer akte terroriste në vendin tonë.
“I dedikohet viktimave të sulmit terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës kur 19 terroristë të Al kaides me 4 avionë vranë 2977 amerikanë në mesin e të cilëve, tre shqiptarë, Mon Gjona Balaj, Simon Dedvokuaj dhe Rrok Camaj ata të cilët janë gjithashtu viktima të këtij sulmi mizor terrorist i cili ndryshoi edhe marrëdhëniet ndërkombëtare por njëkohësisht edhe paralajmëroi rreziqet e mëdha që na presin në këtë shekull. Sot nuk janë vetëm aktorët parashtetëror por edhe shtete të cilat ushtrojnë terrorizëm, ne kemi pasur rastin në Kosovë ku strukturat e caktuara ilegale të udhëhequra nga Beogradi zyrtar kanë zhvilluar aksione terroristë ne vendin tonë”, tha Kurti.
SHBA-ja përkujton rreth 3 mijë persona që vdiqën në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Më 2001 fillimisht një aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërsa 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.
Ekspertët shprehen se 11 shtatori 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.