KQZ: Fillon shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar shtypja e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor. Sipas KQZ-së, shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë. “Ky proces…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar shtypja e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor.
Sipas KQZ-së, shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.
“Ky proces po zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, me pjesëmarrjen e anëtarëve Alban Krasniqi e Muharrem Nitaj, si dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së”, thuhet në njoftim.
Ky institucion njofton gjithashtu se përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Në fazën e parë janë duke u shtypur fletëvotimet për votimin jashtë Kosovës për 43,993 shtetas të Kosovës, të cilat, KQZ do të sigurohet që t’ua dërgojë përmes postës, ndërkohë do të vazhdohet me shtypjen e fletëvotimeve për procesin e votimit brenda vendit. Në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator, KQZ mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunave të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për kuvende komunale. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë”, thuhet tutje në njoftim.
Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13% apo 268,688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas listës votuese të certifikuar nga KQZ është: 2,069,098.
Sipas të dhënave nga lista votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Kosovë është 2,025,105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.