Rama njoftoi për rikthimin e “Prishtina Parking”, por s’publikohet rregullorja se nuk duhet bllokuar makinat dhe pikat tjera të dala nga Supremja

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi sot për rikthimin në funksion të plotë të “Prishtina Parking”. Ky lajm jo i konvenueshëm për të gjithë u dha përmes rrjetit social Facebook, ku ndër të tjerash Rama vuri në theks faktin se nga nesër hy në fuqi zbatimi i plotë i rregullores së Prishtina Parking-ut. Siç thekson…

Lajme

09/09/2025 10:35

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi sot për rikthimin në funksion të plotë të “Prishtina Parking”.

Ky lajm jo i konvenueshëm për të gjithë u dha përmes rrjetit social Facebook, ku ndër të tjerash Rama vuri në theks faktin se nga nesër hy në fuqi zbatimi i plotë i rregullores së Prishtina Parking-ut.

Siç thekson ai, shfrytëzimi i parkingjeve publike nga qytetarët që menaxhohen nga “Prishtina Parking” bëhet me pagesë, sipas tarifave zyrtare.

Për këtë, ai thotë se çdo parkim me pagesë sanksionohet me gjoba dhe masa ndëshkuese.

E në lidhje me këtë, një vendim pati marrë Gjykata Supreme e Kosovës- e cila kishte rrëzuar disa nene nga Rregullorja për organizmin dhe shfrytëzimin e parkingjeve të Komunës së Prishtinës.

Këto nene kishin të bënin me mënyrën e pagesës së parkingjeve nga qytetarët, bllokimin e veturave që nuk kanë kryer pagesë brenda 10 minutave duke ua vendosur bllokuesen.

Lëshimin e biletave për parkim në zonat të palicencuara si dhe marrjen e masave ndëshkimore, përfshirë bartjen/zhvendosjen e mjeteve.

Supremja në disa prej vendimeve që i ka ndërmarrë “Prishtina Parking” më parë i ka konsideruar si tejkalim të kompetencave, raporton lajmi.net.

Në vendimin e Supremes gjithashtu theksohet se bllokimi i automjeteve të cilat nuk kanë paguar parkingun pas 10 minutave nga momenti i parkimit është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe mos diskriminimit.

Sipas këtyre parimeve, çdo veprim i administratës publike duhet të jetë në proporcion me qëllimin që synohet të arrihet dhe të mos tejkalojë atë që është e domosdoshme.

” Kolegji i Gjykatës Supreme ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar pjesërisht nenin 1 të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, vetëm në pjesën që ka të bëjë më mënyrën e pagesës, si dhe nenin 14 dhe 15 të kësaj rregullore; ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar pjesërisht nenin 8 të kësaj Rregulloreje, vetëm në pjesën që ka të bëjë me parking të vizitorëve, në hapësirat rezidenciale, i cili parkim nga vizitorët nuk mund të jetë më herët se ora 16:00 dhe më vonë se ora 18:00; ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 12 paragrafët 1 dhe 9 të kësaj Rregulloreje; ka shpallur pjesërisht të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 22 paragrafët 1, 8 dhe 9 të kësaj Rregulloreje; ka refuzuar si të pabazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë së paditëses Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, për tej asaj që është gjykuara në pikat -I-, -II-, III-, -IV- dhe -V-, të dispozitivit të këtij aktgjykimi, më të cilën ka kërkuar që të shfuqizohet në tërësi, Rregullorja për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës”,thuhet në vendim.

Por nga Komuna e Prishtinës ende nuk është dhënë asnjë sqarim nëse disa nga këto pika kanë ndryshuar apo janë rregulluar tanimë.

E ndërkohë për këtë çështje një reagim erdhi edhe nga shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

Sveçla tha se që nga muaji maj, kurt Supremja rrëzoi disa dispozita të Rregullores, ekzekutivi i Prishtinës ka pasur mjaftueshëm kohë që të sjellë në Kuvend ndryshimin e saj, por nuk e ka bërë.

“Çdo gjobë e shqiptuar në këtë periudhë është e kontestueshme dhe cenon drejtpërdrejt parimin e legalitetit. Përgjegjësia bie mbi ekzekutivin që po vepron pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës më të lartë në vend”, ripërsëriti ai./Lajmi.net/