“Pastruam listat nga emrat e personave të vdekur” KQZ kundërpërgjigjet ndaj akuzave të Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sqarime lidhur me pretendimet publike të ngritura rreth Listës Votuese dhe formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2025. Sipas KQZ-së, krijimi i Listës Votuese për çdo komunë të Republikës së Kosovës është proces i rregulluar me ligj dhe akte nënligjore. Lista për zgjedhjet e sivjetme,…

Lajme

08/09/2025 21:53

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sqarime lidhur me pretendimet publike të ngritura rreth Listës Votuese dhe formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2025.

Sipas KQZ-së, krijimi i Listës Votuese për çdo komunë të Republikës së Kosovës është proces i rregulluar me ligj dhe akte nënligjore. Lista për zgjedhjet e sivjetme, e certifikuar në mbledhjen e 6 shtatorit, përmban gjithsej 2,069,098 votues, që është 6,770 më pak krahasuar me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt 2025.

KQZ thekson se të gjitha veprimet për caktimin e votuesve në qendrat e votimit dhe pastrimin e listës nga emrat e personave që kanë ndërruar jetë janë kryer në mënyrë transparente, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe përmes verifikimeve në terren, në përputhje me ligjin dhe rregulloret zgjedhore.

“Zvogëlimi i numrit të votuesve është regjistruar në 30 komuna dhe nuk është i përqendruar në ndonjë komunë të vetme. Në anën tjetër, në 8 komuna është shënuar rritje e numrit të votuesve për shkak të aktivizimit të sistemit të adresave nga Agjencia për Regjistrimin Civil. Ky proces ka ndikuar në caktimin e qendrave të votimit sipas adresave të banimit të qytetarëve, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në komunikatën për media nga KQZ.

Komisioni ka bërë të ditur se këto çështje janë sqaruar edhe në mbledhjen e fundit, e cila është transmetuar drejtpërdrejt dhe përcjellë nga media të shumta.

Lidhur me formulën për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve, KQZ thekson se vendimi është bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore, duke ndjekur parimin e gjithpërfshirjes. Sipas KQZ-së, kjo ka mundësuar përfaqësim edhe për subjektet e reja politike, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Përgjigjet e detajuara do t’i dërgohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda afatit ligjor.

KQZ ka ritheksuar përkushtimin për të garantuar një proces zgjedhor të barabartë, transparent dhe të mbështetur në ligj, duke u shërbyer të gjithë qytetarëve me të drejtë vote pa dallim.