Aktakuza e Prokurorisë Speciale- Jelena Gjukanoviq spiunonte tek BIA serbe, përpilonte raporte në OSBE me narrative armiqësore për sigurinë në Kosovë

Prokuroria Speciale ka njoftuar ditë më parë se është ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Jelena Gjukanoviq, si e dyshuar për spiunazh. E në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka siguruar edhe aktakuzën e redaktuar. Në bazë të kësaj aktakuze thuhet se e pandehura deri në momentin e arrestimit pra më 28 shkurt…

Lajme

11/09/2025 10:51

Prokuroria Speciale ka njoftuar ditë më parë se është ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Jelena Gjukanoviq, si e dyshuar për spiunazh.

E në lidhje me këtë rast, lajmi.net ka siguruar edhe aktakuzën e redaktuar.

Në bazë të kësaj aktakuze thuhet se e pandehura deri në momentin e arrestimit pra më 28 shkurt 2025 në cilësinë e zyrtares vendore të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë,e njohur si “BIA”.

Kësaj agjencie e njëjta theksohet t’i ketë ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme të siguruara gjatë aktivitetit të saj në OSBE- ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, agjentin rezident të BIA-së, të cilit i përcolli informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejtë me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe vetëveprimtarinë e brendshme të institucioneve të Kosovës.

Më saktësisht këto informata thuhet të jenë bartur më pas tek përgjegjësi i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi.

E njëjta përmes influencimit e ndikimit të saj, gjatë takimit dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së për pasqyrimin e situatës politike të sigurisë në Kosovë, ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Kosovës dhe ka vënë në rrezik jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së.

Ndryshe, Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt 2025, ndërsa me 2 mars të këtij viti i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Asaj i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Më 02.03.2025 se Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se e dyshuara për spiunazh në Mitrovicë, është anëtare e OSBE-së. Përmes një reagimi, OSBE-ja kishte thënë se janë në kontakt me përfaqësuesin e saj ligjor dhe po monitorojnë situatën.

“Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit”, thuhej në reagim.

Në qershor të këtij viti, Gjykata e Prishtinës ka dënuar me pesë vjet burg agjentin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), Aleksandar Vllajiç, për veprën penale të spiunazhit. E përpos dënimit, ai është gjobitur edhe me 1000 euro për armëmbajtje pa leje.

Vllajiç ishte arrestuar në qershor 2024 nga autoritetet në Kosovë, nën dyshimin se ishte përfshirë në aktivitete spiunazhi në shërbim të BIA-s. Ai kishte mbledhur dhe dërguar informacione në Serbi, duke cenuar rendin kushtetues të Kosovës. Ai është personi i parë që dënohet për spiunazh që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Gjatë viteve të fundit, në Kosovë janë arrestuar disa persona të përkatësive të ndryshme etnike, përfshirë serbë dhe shqiptarë, nën dyshimet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të spiunazhit në shërbim të agjencive të inteligjencës së Serbisë.

Ata dyshohen se kanë ndihmuar BIA-n duke i përcjellë informacione dhe dokumente të ndjeshme që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, masakrën e Reçakut, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Policinë e Kosovës, krahas informacioneve për dëshmitarë të përfshirë në proceset e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kurse rasti i arrestimit të dy personave në Kroaci mbi dyshimet për spiunazh për Serbinë, i bërë i njohur në fund të gushtit, vazhdon të jetë plot me të panjohura, ashtu sikurse veprimtaria të cilën ata akuzohen ta kenë kryer në Kosovë.

Një pilot kroat, i identifikuar si J.I., i cili u tha se ka shërbyer në misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, dyshohet se ka zbuluar tek e dashura e tij, Ana Murganiq serbe nga Mitrovica e Veriut, informacione të ndjeshme, të cilat, më pas, ajo thuhet se ia ka përcjellë partisë kryesore të serbëve në Kosovë. (Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka mohuar se e njeh të dyshuarën për spiunazh).

Media kroate, Slobodna Dalmacija raportoi se hetuesit, mbi bazën e një urdhri gjyqësor, kanë kontrolluar pajisjet e tyre mobile dhe komunikimet, ku kanë gjetur mesazhe komprometuese që i kanë shtyrë të dyshojnë për spiunazh ndërkombëtar.

Që të dyve u është caktuar masa e paraburgimit, por i gjithë hetimi mbetet i fshehtë, me qëllim që, siç kanë argumentuar autoritetet kroate, të mos dëmtohet procesi./Lajmi.net/