“Me Albinin përpara, na priftë e mbara”-dikur kandidat i Vetëvendosjes, Krasniqi tani me licencë për tregti me energji
Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Erzen Krasniqi është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji – për tregti me energji elektrike. Në bazë të të dhënave të cilat figurojnë në ARBK, Krasniqi shihet që e ka themeluar këtë kompani më 24 prill 2025 dhe se është punëtori i vetëm që ka kompania e quajtur…

Lajme
Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Erzen Krasniqi është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji – për tregti me energji elektrike.
Në bazë të të dhënave të cilat figurojnë në ARBK, Krasniqi shihet që e ka themeluar këtë kompani më 24 prill 2025 dhe se është punëtori i vetëm që ka kompania e quajtur “Energy For Change L.L.C”.
E në bazë të këtyre informacioneve, aktiviteti kryesor i kompanisë së Krasniqit është tregtia me energji elektrike.
Më 2017, Krasniqi kishte kandiduar në listën e Vetëvendosjes për deputet me numrin 108.
Sic bëhej e ditur në faqen e Vetëvendosjes, ai kishte punuar në KEDS në periudhën 2014-2016 derisa në Vetëvendosje u anëtarësua për herë të parë më 2015, si ekspert në fushën e energjetikës.
Krasniqi e ka përkrahur Kurtin edhe pas vitit 2017. Në vitin 2020 ai kishte shkruar në profilin e tij “Me Albinin përpara na priftë e mbara”.
Ndryshe në ARBK, Krasniqi figuron edhe si bashkëpronar i kompanisë “Solar2 Group”.
Vendimi për kompaninë e Krasniqit dhe të tjerëve është marrë në mbledhjen e ZRRE-së, në të cilën u miratuan licencat e aktivitetit të furnizimit me energji elektrike edhe për dy kompani të tjera si: “Norwegian PX Kosovë SH.P.K.” dhe “BE Power SH.P.K.”.
Gjatë kësaj mbledhje anëtari i Bordit të ZRrE-së, Ymeridin Misini, ka deklaruar se kompanitë në fjalë i kanë përmbushur të gjitha kriteret, prandaj janë licencuar për këtë treg.
“Dokumentet i kanë plotësuar në përputhje me kërkesat, po ashtu edhe dëshmitë. Konsideroj se aplikacioni është vlerësuar sipas rregullave dhe në përputhje me legjislacionin për një periudhë 5-vjeçare, si licencat tjera,”, është shprehur Misini./Lajmi.net/