Murati: Rama nuk do të mund t’i mashtrojë votuesit e Prishtinës – dështimin e tij dhe të LDK-së tash po mundohet me e mbulu me viktimizim

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas dorëzimit të ankesës në Gjykatën Kushtetuese nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokimin e buxhetit të Komunës. Murati tha se është vetë Komuna që ka dështuar t’i përmbushë afatet ligjore për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2025. Sipas tij, Rama…

Lajme

05/09/2025 14:03

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas dorëzimit të ankesës në Gjykatën Kushtetuese nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokimin e buxhetit të Komunës.

Murati tha se është vetë Komuna që ka dështuar t’i përmbushë afatet ligjore për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2025. Sipas tij, Rama nuk e miratoi buxhetin në kohë, duke humbur të gjitha mundësitë ligjore për përfshirjen e tij në Ligjin e Buxhetit të shtetit, transmeton lajmi.net.

“Përparim Rama e kishte miratuar projekt-buxhetin në asamble, tek pasi i kishin ikur të gjithë trenat e mundshëm për ta futur buxhetin në Ligjin e Buxhetit. Tash po përpiqet ta mbulojë dështimin me viktimizim,” ka thënë Murati.

Ai shtoi se Komuna e Prishtinës ka mbyllur vitin me rreth 33 milionë euro të papërdorura dhe se ka nënshkruar kontrata të mëdha, si ajo për sheshin “George Bush” me vlerë 18 milionë euro, pa mbulim buxhetor. “Pasi dështoi për katër vjet, po kërkon fajtor për dështimet e veta,” përfundoi Murati.

Postimi i plotë: 

Dështimin e tij dhe të LDK-së për 4 vjet në Prishtinë, Përparim Rama tash po mundohet me e mbulu dhe arsyetu me viktimizim.
– Çfarë ka ndodhur me buxhetin e Komunës së Prishtinës? Qe faktet:
Me 30 shtator 2024, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur t’a miratojë projekt-buxhetin e vitit 2025 sipas afatit ligjor.
Por as deri më 31 tetor Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë projekt-buxhetin komunal, para se ligji të dërgohet në Kuvend. Pra i ka ikur edhe mundësia e dytë që Komuna e kishte.
Me 31 tetor 2024, Ministria e Financave është detyruar t’a dërgojë buxhetin e konsoliduar për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend, pa e përfshirë projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës i cili nuk ishte miratuar në asamble komunale.
Me 11 nëntor 2024, Kuvendi e miraton në lexim të parë Ligjin e Buxhetit për vitin 2025.
Pas kësaj date, Komuna ka pasur edhe një mundësi që ndërmjet dy leximeve të buxhetit në Kuvend, ta miratojë projekt-buxhetin e saj në asamble, por përsëri ka dështuar ta bëjë. Pra i ka ikur edhe mundësia e tretë që e kishte për përfshirje të buxhetit komunal në Ligj të Buxhetit.
Me 21 nëntor 2024, Kuvendi e miraton në lexim të dytë Ligjin e Buxhetit.
Me këtë rast, mbyllet mundësia e përfshirjes së projekt-buxhetit të Prishtinës në Ligjin e Buxhetit, dhe e vetmja mënyrë pas kësaj date mbetet përmes ndryshim/plotësimit në Kuvend të Ligjit të Buxhetit.
Me 5 dhjetor 2024 Kuvendi kishte mbajtur seancën e fundit plenare të Legjislaturës së 8-të.
Tek me 9 dhjetor 2024, Përparim Rama dhe Komuna e Prishtinës arrijnë ta miratojnë projekt-buxhetin në asamble komunale.
Pra Përparim Rama e kishte miratuar projekt-buxhetin në asamble, tek pasi i kishin ikur të gjithë trenat e mundshëm për ta futur buxhetin komunal në Ligj të Buxhetit.
Në këtë situatë, e vetmja zgjidhje për përfshirje të projekt-buxhetit komunal në Ligj të Buxhetit është ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit në legjislaturën e re, pra pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Këtë fakt edhe ia ka komunikuar MFPT, dhe Përparim Rama e din shumë mirë. Mirëpo tash që ka dështuar për 4 vite në qeverisje, duket se ka nevojë që të viktimizohet para votuesve e t’ia krijojë vetes një alibi për dështimin që ka pasur.
Mirëpo kot është kjo maskaradë, sepse Dështim Rama nuk do të mund t’i mashtrojë votuesit e Prishtinës pasi që herën e parë e keqpërdori besimin e tyre./lajmi.net/