Flasin nga Qeveria në dorëheqje: Vazhdojmë detyrat deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri – Kuvendi është konstituuar, por pa qeveri të re

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se ekzekutivi aktual, ndonëse në dorëheqje, vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e veta deri në zgjedhjen e një qeverie të re nga Kuvendi, sipas nenit 30 të Ligjit për Qeverinë. Deklarata e tij vjen pas situatës ku disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët njëkohësisht…

Lajme

05/09/2025 13:42

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se ekzekutivi aktual, ndonëse në dorëheqje, vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e veta deri në zgjedhjen e një qeverie të re nga Kuvendi, sipas nenit 30 të Ligjit për Qeverinë.

Deklarata e tij vjen pas situatës ku disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët njëkohësisht mbajnë poste ministrore në detyrë, vazhdojnë të qëndrojnë në ekzekutiv edhe pas shpalljes së Kuvendit si i konstituuar nga kryeparlamentari Dimal Basha.

Ai madje pretendon se Kuvendi është konstituuar.

“Kuvendi është konstituuar, por ne ende nuk kemi një qeveri të re të dalë nga ky kuvend, përkatësisht legjislatura e nëntë e Kuvendit. Neni 30 i Ligji për Qeveri e thotë qartë se Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me po këtë ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit. Sa i përket rastit të znj. Haxhiu dhe znj. Rexhepi, ato janë liruar nga detyra në kabinetin qeveritar pasi të njëjtat janë zgjedhur nga kuvendi në pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit dhe kanë detyra dhe përgjegjësi të reja”, tha Kryeziu për RTV21.