Pse Trumpi është shumë më i fuqishëm këtë herë?
Nga: Jason Willick / The Washington Post Ekzistojnë të paktën dy mënyra për të matur fuqinë e një presidenti. E para është se sa shumë privilegje ai pretendon për vetën. E dyta është se me sa rezistencë përballet. Në mandatin e tij të parë, Donald Trumpi ishte një president i dobët – ndoshta edhe historikisht…

Opinion
Nga: Jason Willick / The Washington Post
Ekzistojnë të paktën dy mënyra për të matur fuqinë e një presidenti. E para është se sa shumë privilegje ai pretendon për vetën. E dyta është se me sa rezistencë përballet.
Në mandatin e tij të parë, Donald Trumpi ishte një president i dobët – ndoshta edhe historikisht i dobët. Kur ai bënte pohime modeste për pushtet, reagimi nga institucionet e tjera ishte i ashpër. Një shembull: Presidenti ka qartazi fuqinë për të shkarkuar drejtorin e FBI-së. Megjithatë, kur Trumpi e bëri këtë në vitin 2017, kjo nxiti një hetim të posaçëm nga prokurori i pavarur i cili, për gati dy vjet, kërcënoi ta përpinte administratën e tij. Ai donte ta shkarkonte prokurorin special, por nuk mundi sepse reagimi do të kishte qenë edhe më i madh.
Në fillim të mandatit të tij të dytë, Trumpi është president historikisht i fuqishëm. Madje, ka një argument të fortë se pse ai ka grumbulluar “më shumë pushtet se cilido nga paraardhësit e tij në kohë paqeje” – siç ka thënë Walter Russell Mead, këtë muaj në Wall Street Journal. Harroni shkarkimin e zyrtarëve të lartë të zbatimit të ligjit, të cilët edhe ashtu nuk do të guxonin të sfidonin trumpin. Këtë javë, ai u bë presidenti i parë në historinë 112-vjeçare të Rezervës Federale që shkarkoi një anëtar të bordit të saj drejtues, në përpjekje për të kontrolluar politikën monetare. Çështja do të kalojë në gjykatë, por po të kishte bërë diçka të ngjashme në mandatin e tij të parë, reagimi politik dhe burokratik do të kishte qenë disa herë më i madh.
Ose, merreni si shembull përdorimin e ushtrisë nga ana e Trumpit brenda Shteteve të Bashkuara. Në verën e vitit 2020, Trumpi donte të anashkalonte guvernatorët dhe të dërgonte trupa në qytete amerikane gjatë disa prej trazirave më shkatërrimtare në historinë e ShBA-së. Ai kishte një argument të arsyeshëm, pasi autoritetet lokale nuk po e kontrollonin në mënyrë të mjaftueshme dhunën dhe vandalizmin. Por, Trumpi u ndalua nga vartësit e vet. Kur një senator shkroi në mbështetje të idesë në New York Times, gazeta reagoi duke shkarkuar drejtuesit e redaksisë – një ilustrim ky i klimës politike.
Kalojmë në vitin 2025. Trumpi dislokoi Gardën Kombëtare në Los Anxhelos përballë trazirave më të lehta civile se ato të vitit 2020. Ai e ka dërguar Gardën në Uashington për shkak të një shqetësimi të përgjithshëm për kriminalitetin (dhe për të mbledhur mbeturina). Pentagoni raportohet se po përgatit një njësi të specializuar të Gardës për të ndihmuar në rast trazirash civile, dhe Trumpi ka shtruar idenë për të dërguar trupa në Çikago dhe San Francisko – pa shkaktuar shumë vëmendje. E gjithë kjo në një kohë të paqes relative civile.
Në dy drejtime – për nga shtrirja e pushteteve të pretenduara dhe për nga forca e kundërshtimit ndaj tyre – presidenca e parë dhe e dytë e Trumpit nuk mund të jenë më ndryshe nga njëra-tjetra. Kjo shtron pyetjen: Pse? Zgjedhjet e vitit 2024 ishin të ngushta, dhe zakonisht presidentët janë, nëse jo më të dobët, më të kufizuar në mandatin e tyre të dytë. Por, Trumpi nuk është një figurë e zakonshme politike. Ja katër shpjegime të pjesshme.
Së pari, demokratët. Edhe pse partia ka përfaqësim të bollshëm politik – një pakicë të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve, guvernatorë në shtete të mëdha – ajo po përpiqet të gjejë një arsye ekzistence që mund të mobilizojë njerëzit. Ajo investoi në delegjitimimin e zgjedhjes së parë të Trumpit duke u mbështetur te ndërhyrja ruse dhe fakti që Hillary Clinton fitoi shumicën e votës popullore. Këto justifikime tani nuk janë të vlefshme, dhe kjo e bën më të vështirë kundërshtimin e pretendimeve të Trumpit se ai është përfaqësuesi i vërtetë i popullit. Demokratët kaluan vite të tëra duke thënë se “demokracia” është e mira më e madhe; çfarë mund të jetë më demokratike sesa vullneti i pacenuar i një presidenti të zgjedhur me votë popullore?
Së dyti, republikanët. Trumpi ka shkaktuar një revolucion të vërtetë brenda partisë së vet. Katër vjet jashtë pushtetit ndoshta ishin një avantazh në këtë drejtim. Rreth dy të tretat e anëtarëve aktualë të Dhomës, nga Partia Republikane, janë zgjedhur gjatë ose pas vitit 2016. Senatorët që kishin më shumë gjasë të ushtronin gjykim të pavarur, janë tërhequr nga politika. Trumpi dhe lëvizja e tij kanë qenë shumë të suksesshëm në gjetjen e individëve besnikë dhe të kalitur në beteja për të mbushur postet e ekzekutivit në të gjitha nivelet. Edhe nëse demokratët do të ishin në formë të shkëlqyer, ky komitet i transformuar republikan do t’i jepte Trumpit ndjeshëm më shumë pushtet sesa kishte në vitin 2017.
Së treti, interegnumi [periudha ndërmjet dy mandateve]. Sulmet me ndjekje penale ndaj Trumpit, ndërsa ishte jashtë pushtetit, ndoshta e kanë bërë mandatin e tij të dytë më të vendosur dhe më hakmarrës. Argumentet për vetëpërmbajtje në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Drejtësisë, me shumë mundësi e kanë më të vështirë të fitojnë terren kur përfaqësuesit më të ashpër të MAGA-s [Make America Great Again] kujtojnë se demokratët u përpoqën ta dënonin Trumpin për krime që mund ta kishin çuar në burgim të përjetshëm. Demokratët që ende i mbrojnë këto ndjekje penale, së paku duhet të pranojnë rezultatin e natyrshëm të tyre. Dështimi i ndjekjeve penale ndoshta gjithashtu kontribuon në një demoralizim politik të demokratëve: ata përdorën mjetet më të forta të mundshme kundër Trumpit dhe ato nuk funksionuan.
Së katërti, Gjykata Supreme. Për pjesën më të madhe të mandatit të parë të Trumpit, emërimet republikane përbënin shumicën 5-4 në Gjykatën Supreme. Kjo ndryshoi vetëm në fund të vitit 2020 me emërimin e Amy Coney Barrettin, duke e zhvendosur shumicën në 6-3. Një votë e vetme bën një ndryshim të madh, sepse kryetari i Gjykatës, John G. Roberts Jr., nuk mund të vendosë krye më vetë se cila palë do të fitojë në çështje të ndara 5-4 dhe me ngarkesë politike. Gjykata ka vepruar si frenues në përpjekjet më abuzive të Trumpit në fushën e imigracionit, por ka bërë pak për të ndërhyrë në grumbullimin e pushtetit nga ana e tij. Kjo mund të ndryshojë, ndërsa veprimet e tij kalojnë nëpër gjykata dhe apele, por ndryshimi në përbërjen e Gjykatës gjatë mandatit të parë të Trumpit ndoshta së paku e ka vonuar përplasjen në mandatin e dytë.
Shumë amerikanë votuan për një rikthim të Trumpit, me shpresën për një kthim te politikat e suksesshme të mandatit të tij të parë. Shtatë muaj më pas, ata po marrin disa nga ato politika, por po marrin gjithashtu edhe një presidencë që po zgjerohet ndjeshëm në përmasa dhe ndikim. Pushteti ekzekutiv zgjerohej në kurriz të Kongresit që para Trumpit, por presidenca e 47-të po i çliron të gjitha fuqitë e postit – madje më shumë se kaq. Paralajmërimet për fundin e demokracisë nuk do ta ndalin këtë grumbullim pushteti, sepse për partinë që ka fituar zgjedhjet asgjë nuk duket më demokratike sesa realizimi i vullnetit të saj.