Finalja e Ligës së Kampionëve nuk do të fillojë më në orën 21:00
Shoqata Evropiane e Futbollit, UEFA, njoftoi sot ndryshimin e rëndësishëm në orarin e finales së Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Finalja, e cila vitet e fundit është zhvilluar të shtunave në orën 21:00, këtë sezon do të nisë në orën 18:00. “Vendimi është hartuar për të përmirësuar përvojën e përgjithshme të ndeshjes për…

Sport
Shoqata Evropiane e Futbollit, UEFA, njoftoi sot ndryshimin e rëndësishëm në orarin e finales së Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Finalja, e cila vitet e fundit është zhvilluar të shtunave në orën 21:00, këtë sezon do të nisë në orën 18:00.
“Vendimi është hartuar për të përmirësuar përvojën e përgjithshme të ndeshjes për tifozët, ekipet dhe qytetet pritëse duke optimizuar logjistikën dhe operacionet e ditës së ndeshjes, ndërkohë që ofron disa përfitime të prekshme”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, shpjegoi se ndryshimi ka për qëllim ta bëjë finalen më të arritshme dhe gjithëpërfshirëse për tifozët. “Me këtë ndryshim, po e vendosim përvojën e tifozëve në qendër të planifikimit tonë. Finalja e Ligës së Kampionëve të UEFA-s është kulmi i sezonit të futbollit dhe fillimi i ri i ndeshjes do ta bëjë atë edhe më të arritshme, gjithëpërfshirëse dhe me ndikim për të gjithë të përfshirët”, tha ai.
Sipas Ceferin, një start më i hershëm i finales të shtunën ofron mundësinë që ndeshja të përfundojë më herët, duke lejuar tifozët të shijojnë pjesën tjetër të mbrëmjes me familjen dhe miqtë, pavarësisht nëse loja shkon në kohë shtesë apo penallti.
Ky ndryshim vjen pas viteve që finalja fillonte në orën 21:00, një orar që ishte vendosur si zëvendësim për orën 20:45, e cila ishte përdorur deri në sezonin 2018/19. Finalja e sezonit të ardhshëm do të luhet në Puskas Arena të Budapestit.
“Qëllimi ynë është ta bëjmë ditën e ndeshjes një përvojë vërtet të këndshme për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e emocioneve, duke krijuar njëkohësisht një atmosferë mikpritëse që ua lehtëson familjeve dhe fëmijëve pjesëmarrjen në ndeshjen më të madhe dhe më të rëndësishme të futbollit të klubeve të sezonit”.