Artikulli i Bashës kundër UÇK-së, Quni: Njerëz që bëjnë akuza të tilla janë të padijshëm ose të nxitur nga agjenda të huaja
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, ka reaguar pas publikimit të artikullit nga Dimal Basha në vitin 2012, në të cilin pretendohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte marrë mbështetje financiare dhe logjistike nga grupe kriminale dhe trafikantë të drogës. Quni thekson se akuzat ndaj UÇK-së nuk janë të reja, por pavarësisht përpjekjeve…

Lajme
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Quni, ka reaguar pas publikimit të artikullit nga Dimal Basha në vitin 2012, në të cilin pretendohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte marrë mbështetje financiare dhe logjistike nga grupe kriminale dhe trafikantë të drogës.
Quni thekson se akuzat ndaj UÇK-së nuk janë të reja, por pavarësisht përpjekjeve për ta njollosur luftën, thelbi i së vërtetës dhe historisë mbetet i pandryshuar.
“Akuzat ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk janë diçka e re, por thelbi i së vërtetës dhe historisë mbetet i pandryshuar. Është e rëndësishme të kuptojmë kontekstin e asaj kohe. UÇK-ja lindi si një lëvizje e armatosur, si rezistencë ndaj dhunës dhe spastrimit etnik të ushtruar nga regjimi i Millosheviçit kundër popullsisë shqiptare të Kosovës. Qëllimi i saj kryesor ishte mbrojtja e popullit dhe lufta për liri”, tha ai.
Sipas tij, nuk ka asnjë argument apo fakt që e mbështet idenë se UÇK-ja ishte një organizatë kriminale.
Përkundrazi, bashkëpunimi i saj me NATO-n dhe forcat ndërkombëtare gjatë luftës është dëshmi e qartë e legjitimitetit dhe drejtësisë së luftës çlirimtare.
“Nuk ka asnjë argument për ta njollosur luftën çlirimtare dhe për ta quajtur UÇK-në në tërësi një organizatë kriminale apo e mbështetur nga grupet kriminale. UÇK-ja bashkëpunoi me forcat ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n, gjatë luftës së Kosovës. Ky bashkëpunim nuk do të ishte i mundur nëse vendet kryesore të botës do ta shihnin UÇK-në si një organizatë kriminale apo terroriste. Përkundrazi, bashkëpunimi tregon njohjen e saj si një forcë legjitime që i shërbente një qëllimi të drejtë”, theksoi Quni.
Quni e cilëson si propagandë çdo përpjekje për të njollosur luftën e UÇK-së dhe thotë se njerëzit që bëjnë akuza të tilla, pa fakte e argumente, janë ose të padijshëm, ose të nxitur nga agjenda të huaja.
“Shpesh, akuzat e tilla bëhen pjesë e propagandës që ka për qëllim të minimizojë rëndësinë e luftës çlirimtare dhe sakrificave të popullit të Kosovës. Është detyra jonë të ndajmë të vërtetën historike nga spekulimet dhe të kujtojmë se lufta e UÇK-së ishte një luftë për liri dhe drejtësi. Çdonjëri, që pa asnjë fakt e argument, ngrit dyshime për pastërtinë e UÇK-së, është ose i padijeshëm ose i ngarkuar me mision nga agjenturat e huaja. Të tillët nuk do të duhej të kenë përgjegjësi të lartë shtetërore. Ata që e shtrembërojnë të kaluarën e UÇK-së, e rrezikojnë të ardhmen e Kosovës”, përfundoi ai për GazetaBlic.