Si zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit? – Rregullorja që përcakton procedurat

Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, vëmendja tani është përqendruar tek procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve, një hap i domosdoshëm për përmbylljen e seancës konstituive. Procedurat për këtë proces janë të përcaktuara në Nenin 12 të Rregullores së Kuvendit, i cili detajon hapat që duhet ndjekur për përzgjedhjen e nënkryetarëve nga…

Lajme

26/08/2025 15:45

Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, vëmendja tani është përqendruar tek procesi i zgjedhjes së nënkryetarëve, një hap i domosdoshëm për përmbylljen e seancës konstituive.

Procedurat për këtë proces janë të përcaktuara në Nenin 12 të Rregullores së Kuvendit, i cili detajon hapat që duhet ndjekur për përzgjedhjen e nënkryetarëve nga partitë shumicë dhe komunitetet joshumicë, raporton lajmi.net

Sipas Neni 12 të Rregullores, nënkryetarët e Kuvendit:

Zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (paragrafi 1).

Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare të propozojnë nga një kandidat për nënkryetar, ku subjekti më i madh duhet të propozojë një kandidat të gjinisë tjetër nga ai i Kryetarit (paragrafi 2).

Në rast se dy subjekte kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë përparësi ka partia që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet parlamentare (paragrafi 3).

Po ashtu, komunitetet joshumicë luajnë një rol të rëndësishëm në strukturën e udhëheqjes së Kuvendit. Kryetari kërkon:

Një kandidat nga deputetët e komunitetit serb, dhe një tjetër nga deputetët e komuniteteve të tjera joshumicë (paragrafi 4).

Të dy këta kandidatë gjithashtu zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Seanca konstituive përfundon vetëm pasi të zgjidhen si kryetari ashtu edhe nënkryetarët. Ndërprerjet gjatë seancës nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë (paragrafi 5).

Propozimet për nënkryetarët nga komunitetet bëhen me shkrim, nga shumica e deputetëve të komuniteteve përkatëse (paragrafi 6), ndërsa në rast se nuk ka propozime:

Kandidatët caktohen me short, në prani të deputetëve të komunitetit përkatës dhe nën administrimin e Kryetarit të Kuvendit (paragrafi 7).

Ky rregullim synon të sigurojë përfaqësim gjithëpërfshirës dhe funksionim institucional, në përputhje me parimet kushtetuese dhe demokratike të Republikës së Kosovës.

Rregullorja me poshtë:

Neni 12
Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit
1. Nënkryetarët e Kuvendit zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
2. Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet politike më të mëdha parlamentare të propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të Kuvendit. Kandidati për nënkryetar i subjektit më të madh parlamentar duhet të jetë i gjinisë tjetër, nga ai i Kryetarit.
3. Në rast se dy ose më shumë subjekte politike kanë numër të njëjtë të deputetëve, e drejta e propozimit të nënkryetarit i takon subjektit që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet për Kuvend.
4. Kryetari i Kuvendit kërkon nga deputetët, që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb që të propozojnë një (1) kandidat për nënkryetar të Kuvendit, si dhe nga deputetët, që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë, të propozojnë një (1) kandidat për nënkryetar të Kuvendit, të cilët zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
6. Propozimet nga paragrafi 4 i këtij neni bëhen me shkrim, sipas procedurës si vijon:
6.1. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, dhe
6.2. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë.
7. Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit./Lajmi.net/