Musliu: Vota për Dimal Bashën do të ishte tradhti ndaj votuesve të mi
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka shpjeguar publikisht arsyen pse votoi kundër Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ajo tha se nuk mund të mbështesë një figurë politike që, sipas saj, ka ndërtuar karrierën mbi “urrejtje dhe përçarje”, raporton lajmi.net Në një postim në Facebook, Musliu deklaroi se vota për…

Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka shpjeguar publikisht arsyen pse votoi kundër Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ajo tha se nuk mund të mbështesë një figurë politike që, sipas saj, ka ndërtuar karrierën mbi “urrejtje dhe përçarje”, raporton lajmi.net
Në një postim në Facebook, Musliu deklaroi se vota për Bashën do të ishte në kundërshtim me bindjet e saj politike dhe me respektin ndaj atyre që e kanë mbështetur gjatë karrierës së saj.
“Vota për një përçarës si Dimal Basha do të quhej tradhti ndaj besimit të mbi 31 mijë votuesve të cilët i kanë besuar fjalës time për më shumë se 16 vite.”
Deputetja e PDK-së përmendi gjithashtu qëndrimet e Bashës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Drenicës, PDK-së dhe ish-presidentit Hashim Thaçi si arsye shtesë për refuzimin e mbështetjes së tij.
“Nuk mund të pranoj që një nga pozitat më të larta shtetërore të ulet dikush që hapur ka treguar përçmim ndaj UÇK-së, ndaj Drenicës, ndaj PDK-së dhe ndaj figurës së Hashim Thaçit.”
Musliu theksoi se vendit i duhen udhëheqës që bashkojnë e respektojnë historinë, dhe jo figura që e shkelin atë për interesa personale apo politike.
“Ne kemi nevojë për udhëheqës që bashkojnë, jo që përçajnë. Ne kemi nevojë për liderë që respektojnë historinë, jo që e shkelin atë për interesa personale apo politike. Ne kemi nevojë për dinjitet.”
Dimal Basha u zgjodh sot kryetar i Kuvendit të Kosovës me 73 vota pro, duke i dhënë fund bllokadës institucionale shumëmujore./Lajmi.net/