Dimal Basha, figura përçarëse që ofendoi ish-krerët e UÇK-së, tani në krye të Kuvendit të Kosovës
Zgjedhja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe atë politik. Kritikët e tij e cilësojnë Bashën si një figurë përçarëse, për shkak të gjuhës së ashpër dhe sulmeve të përsëritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët…

Lajme
Zgjedhja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe atë politik.
Kritikët e tij e cilësojnë Bashën si një figurë përçarëse, për shkak të gjuhës së ashpër dhe sulmeve të përsëritura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht ndodhen në proces gjyqësor në Hagë, transmeton lajmi.net
Në një varg postimesh në rrjetet sociale, të bëra gjatë reagimeve kundër Gjykatës Speciale, Basha kishte përdorur gjuhë fyese ndaj figurave kyçe të luftës, duke e quajtur mbështetjen financiare të Qeverisë për mbrojtjen e tyre “shpenzim të kotë”.
Ai kishte theksuar se nga 33 milionë euro të ndara nga Qeveria për mbrojtjen në Hagë, 5 milionë ishin përdorur vetëm për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e ironizuar mbështetjen për të:
“Nëse ju duhen më shumë, jepni milionat që i keni vjedh, shitni ato hektarë tokë që i keni privatizu, ose shitni more ato villat milionëshe që i keni në Brezovicë!”
Në një reagim tjetër ndaj një interviste të ish-presidentit Thaçi për Klan Kosova, Basha e ka quajtur atë “kumari politik” dhe ka ironizuar me faktin që terroristi serb Radoiçiq ishte liruar në kohën e qeverisjes së tij:
“Shkruani letër Hashimit, kallxoni që ky ‘kumari’ i tij politik o ka fshehet në Serbi, s’guxon m’u sill knej! N’kohën e tij Radoiçiqi ka ba ‘dasëm’ në Veri!”
Këto deklarata janë konsideruar nga shumë si fyerje direkte ndaj figurave të luftës dhe një përpjekje për të delegjitimuar kontributin e tyre historik. Emërimi i një figure të tillë në krye të institucionit më të lartë legjislativ është parë si reflektim i thellimit të ndarjeve politike dhe shoqërore në vend.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, reagoi ashpër ndaj zgjedhjes së Bashës, duke e quajtur atë një “fitore të injorancës” dhe “gabim të pafalshëm”. Sipas tij, kjo zgjedhje tregon nivelin e vërtetë të projektimit politik të atyre që udhëheqin sot Republikën.
“LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike dhe triumfet e injorancës historike do të kapërcehen. Dritë një ditë do të ketë,” ka shkruar Abdixhiku.
Emërimi i Dimal Bashës në krye të Kuvendit, në këtë kontekst, shihet nga kundërshtarët politikë jo vetëm si një vendim i diskutueshëm politikisht, por edhe si një lëvizje që thellon përçarjen shoqërore dhe si tentim për të minimizuar rolin e luftës çlirimtare në ndërtimin e shtetit të Kosovës./lajmi.net/