Krasniqi: Votojmë një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit, nëse VV e konsideron të denjë – e votojmë Dimal Bashën

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se kjo parti do ta votojë Dimal Bashën nëse i njëjti konsiderohet i duhur për kryeparlamentar nga VV-ja. Në një deklarim para mediave pak para fillimit të seancës, ai tha se PDK-ja i qëndron besnik asaj që ka deklaruar, se kjo parti e voton çdo kandidat që nuk…

Lajme

26/08/2025 11:03

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se kjo parti do ta votojë Dimal Bashën nëse i njëjti konsiderohet i duhur për kryeparlamentar nga VV-ja.

Në një deklarim para mediave pak para fillimit të seancës, ai tha se PDK-ja i qëndron besnik asaj që ka deklaruar, se kjo parti e voton çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit.

“Kërkuam konsultim me grupet parlamentare, e kemi bërë edhe sot si grup parlamentar i PDK-së. Tashmë edhe zyrtarisht duke adresuar një kërkesë në drejtim të kryesuesit, Avni Dehari. Kërkesa jonë edhe sot, ashtu siç ishte edhe pardje por që na u pamundësuar, të takohemi me grupet parlamentare, nuk kemi nevojë për konsulta mes nesh. Takohemi me grupet parlamentare për të mundësuar konstituimin dhe për të siguruar që VV është vërtetë e sigurt që nuk dëshiron të japë një kandidat më të denjë dhe më të përgatitur dhe më të duhur se kandidati që propozuan për kryetar”, tha ai.

“Mënyra si e kanë propozuar në mënyrë të befasishme e papritmas nuk ishte mënyra për ta zgjedhur vërtetë, ishte taktizim që po dëshirojnë ta testojnë pozicionin tonë. Në i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë. Votojmë një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit por kërkesa për konsult edhe sot është për t’i thënë VV-së se a janë të sigurt që vërtetë dëshironi ta degradoni nivelin duke vendosur një kandidat që as nuk është i duhur e as nuk i plotëson kriteret bazike për të qenë kryetar, megjithatë nëse VV e konsideron se Dimal Basha apo një i tillë është kandidati më i mirë që ata kanë për këtë pozicion, ne do ta votojmë”, shtoi kryetari i PDK-së.