Chivu i kënaqur me startin e fuqishëm të Interit
Cristian Chivu e nisi me këmbë të mbarë aventurën e tij në Serie A si trajner i Interit, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të thellë 5-0 ndaj Torinos në “San Siro”. Marcus Thuram shënoi dy gola, ndërsa Bastoni, Lautaro Martinez dhe debutuesi Bonny vulosën rezultatin më të thellë të Interit në hapje të sezonit…

Sport
Cristian Chivu e nisi me këmbë të mbarë aventurën e tij në Serie A si trajner i Interit, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të thellë 5-0 ndaj Torinos në “San Siro”. Marcus Thuram shënoi dy gola, ndërsa Bastoni, Lautaro Martinez dhe debutuesi Bonny vulosën rezultatin më të thellë të Interit në hapje të sezonit që prej vitit 1961.
Pas ndeshjes, Chivu nuk e fshehu entuziazmin, por edhe përgjegjësinë që ndjen në këtë rol të ri. “Ne punuam shumë dhe djemtë dhanë një përgjigje të madhe, ishte një shfaqje pjekurie. Që nga dita e parë e stërvitjes, lojtarët kanë pranuar atë që duhet të bëjnë dhe sot ishin në formë të shkëlqyer, gjë që nuk ishte e thënë pas një vere të komplikuar,” u shpreh trajneri për Sky Sport Italia.
Ai e përshkroi këtë rikthim në “San Siro” si një ndjesi të veçantë: “Të kthehesh këtu si trajner i një klubi ku kam shkruar faqe të rëndësishme historie është speciale. Por unë jam i përqendruar tek e tashmja, sepse është një përgjegjësi e madhe.”
Chivu vlerësoi edhe sistemin e presingut të lartë, i cili solli dy gabime të Torinos në nisjen e aksioneve: “Duhet që e gjithë skuadra të ketë qëndrimin e duhur kur bën presion. Po punojmë mbi kohën dhe leximin e situatave. Nuk është e lehtë, por unë nuk kam frikë nga asgjë.”
Në formacionin titullar debutoi vetëm mesfushori Petar Sucic, ndërsa Bonny shënoi gol vetëm pak minuta pasi hyri në fushë. Edhe Andy Diouf dhe Luis Henrique morën minuta në pjesën e dytë. I pyetur për merkaton dhe interesimin e mundshëm për Ademola Lookman, Chivu ishte i prerë: “Do të preferoja të flas për ndeshjen, por ka edhe disa ditë deri në fund të merkatos, kështu që do të kemi kohë për të diskutuar. Lookman nuk është pjesë e skuadrës sonë, ndaj nuk flas për lojtarë që nuk i kemi.”
Me këtë fitore, Interi nisi sezonin me mesazhin se është i gatshëm të luftojë fort që nga java e parë.