Thaçi i kërkon Apelit të Hagës rrëzimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë, çka thuhet në kërkesë?

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Hagë. Kjo për të kërkuar rrëzimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë. Kërkesa është nisur më 18 gusht nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Në të i kërkohet Apelit që të anulojë vendimin e gjykatës, dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk…

Lajme

25/08/2025 16:36

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Hagë.

Kjo për të kërkuar rrëzimin e aktakuzës për pengim të drejtësisë.

Kërkesa është nisur më 18 gusht nga mbrojtja e Hashim Thaçit.

Në të i kërkohet Apelit që të anulojë vendimin e gjykatës, dhe të deklarojë se gjykatësi paraprak nuk ishte kompetent për nxjerrjen e kësaj aktakuze.

Shkalla e parë ia kishte refuzuar kërkesën, pavarësisht se Thaçi ishte ankuar edhe për vështirësitë financiare.

Tutje mbrojtja e ish-drejtorit politik të UÇK-së, argumenton se Prokuroria Speciale nisi procedurat e rastit 12-të në mënyrë të njëanshme, para vetëm të një gjykatësi.

Siç theksohet ndër tjera, kjo duke anashkaluar kompetencat ekskluzive që i përkasin Panelit të Gjyqtarëve për mbikëqyrjen e çështjeve të cilat lidhen përkitazi me gjykim të drejtë ndaj Hashim Thaçit.

Tutje, mbrojtja argumenton se gjyqtarja e caktuar paraprakisht ka ushtruar dy funksione të ndryshme brenda të njëjtit rast, konkretisht, si gjyqtare e fazës hetimore dhe si gjyqtare paraprake, gjë që sipas avokates ligji e ndalon qartë.

Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit, shkruan Nacionale.

Në anën tjetër, pikërisht e njëjta gjyqtare, ia kufizoi Thaçit vizitat nga 11 persona, por e refuzoi kërkesën për ndalimin e vizitave me vëllezër.

Për dallim nga ankesa në Apel për rrëzimin e aktakuzës, Thaçit nuk i është lejuar ankesa për këtë vendim të vizitave.

Kështu tha zëdhënësja e Speciales, Angel Griep.

“Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi dhe rrëzoi pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për ndalimin e vizitave të personave të caktuar për zotin Thaçi në objektin e paraburgimit. Gjykatësja e Procedurës Paraprake miratoi kërkesën lidhur me persona konkretë, duke konstatuar se masa është e domosdoshme duke marrë parasysh se personat në fjalë dalin në audioincizime të bëra nga Prokuroria më 2023 që tregojnë se z. Thaçi u zbuloi në mënyrë të përsëritur informacion konfidencial vizitorëve të tij”, tha ajo.

“Sidoqoftë Gjykatësja e Procedurës Paraprake e rrëzoi kërkesën në lidhje me tre vëllezërit e z. Thaçi. Ndonëse Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se vëllezërit kishin diskutuar për dëshmitarë të mbrojtur, ndër të tjera edhe se si duhej të dëshmonte një dëshmitar dhe rrjedhimisht ka të ngjarë të kenë marrë pjesë në zbulimin e informacionit konfidencial për palë të treta, ajo gjithashtu kujtoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies së ngushtë me familjen dhe pranoi argumentin e Mbrojtjes se tre vëllezërit i japin zotit Thaçi mbështetje morale të vyer. Gjykatësja e Procedurës Paraprake mbajti parasysh se kontakti me familjen është edhe më i rëndësishëm duke qenë se babai i zotit Thaçi u nda nga jeta kohët e fundit”, tha ajo më tutje.

“Gjykatësja e Procedurës Paraprake theksoi se kufizimet e urdhëruara në vendimin e saj duhet të mbeten në fuqi për aq kohë sa i shërbejnë një synimi legjitim dhe vazhdojnë të jenë të domosdoshme dhe proporcionale dhe informoi se do të rishikojë domosdoshmërinë e këtyre masave në çdo tre muaj. Më 18 gusht, Gjykatësja e Procedurës Paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e Mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar si nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial. Ajo arriti në përfundimin se pikat e ngritura nga z. Thaçi nuk ishin të apelueshme dhe se Mbrojtja thjesht shprehte mospajtim me vendimin e saj”, theksoi zëdhënësja Griep.