Deklarohet i pafajshëm i akuzuari se bëri thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad

I akuzuari Alban Bibaj është deklaruar i pafajshëm të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën fillestare në rastin ku po akuzohet për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, i akuzuari Bibaj tha se ndihet i pafajshëm për veprën për të cilën po akuzohet. Gjykatësi i rastit,…

Lajme

21/08/2025 11:33

I akuzuari Alban Bibaj është deklaruar i pafajshëm të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën fillestare në rastin ku po akuzohet për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fikrije Fejzullahu, i akuzuari Bibaj tha se ndihet i pafajshëm për veprën për të cilën po akuzohet.

Gjykatësi i rastit, Kushtrim Shyti njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjithashtu, në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Bibaj, avokati Blerim Bajrami i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i ndërpritet masa e paraburgimit ose t’i caktohet ndonjë masë tjetër alternative.

Lidhur me këtë propozim, prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu tha se mbetet pranë vendimit të Gjykatës për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Më pas, gjykatësi Shyti refuzoi propozimin e avokatit Bajrami, duke lënë në fuqi masën e paraburgimit sipas aktvendimit të Gjykatës, të datës 18 gusht 2025.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 13 gusht 2025, Alban Bibaj akuzohet se ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe ka propaganduar ideologji ekstreme fetare. Aty thuhet se prej vitit 2019 e deri më 22 maj 2025 përmes rrjetit social Facebook, në profilin e tij me emrin “Ubejdullah Abu Suhejla”, ka shpërndarë postime me përmbajtje nixitëse, përmes së cilave ka bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftën për xhihad, si dhe postime tjera ku shpërfaq thirrje të fuqishme të ekstremizmit fetar dhe publikish përkrah veprimet të cilat janë bërë nga sheti islamik “ISIS” si dhe duke bërë thirrje për të kundërshtuar sistemin demokratik, simbolet shtetërore si dhe Ligjet  që votohen apo burojnë nga Parlamenti apo Qeveria e vendit dhe se duhet të pranohen vetëm ligjet e “Sheriatit”.

Akakuza thotë se ai ka publikuar fotografi të ISIS-it, flamuj tjerë kombëtarë të kryqëzuar, materiale propagandistike, video me persona të ndryshëm të radikalizuar, nga të cilat postime potencialisht mund të prish rendin publik.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi