Kryeziu: Asnjëra palë nuk ka vullnet ta formojë qeverinë, në variantin më të mirë raporti i forcave në Kuvend është 60 me 60

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu duke analizuar situatën politike në vend thekson se raporti i forcave politike në Kuvend është 60 me 60 dhe sipas tij asnjëra palë nuk ka vullnet që të formojë qeverinë. Kryeziu në një postim në Facebook shkruan se për bllokadën në procesin e konstituimit të Kuvendit po njësoj fajtor…

Lajme

21/08/2025 11:06

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu duke analizuar situatën politike në vend thekson se raporti i forcave politike në Kuvend është 60 me 60 dhe sipas tij asnjëra palë nuk ka vullnet që të formojë qeverinë.

Kryeziu në një postim në Facebook shkruan se për bllokadën në procesin e konstituimit të Kuvendit po njësoj fajtor janë si Vetëvendosje në njërën anë dhe PDK, LDK dhe AAK në anën tjetër.

“E para, është shumë e qartë që, në variantin më optimist, raporti i forcave në Kuvend është 60 me 60. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, asnjëra palë nuk ka vullnet dhe as dëshirë që të provojë të formojë qeverinë.
Të dyja palët e dinë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, sepse nuk ekziston vullnet për bashkëpunim në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës. Dështimi për ta zgjedhur Presidentin, vendin e çon automatikisht në zgjedhje. Pra, askush nuk do që të qeverisë për vetëm disa muaj”, shkruan ai.

Sipas tij, edhe sikur Vetëvendosje dhe Nisma të bënin marrëveshje koalicioni, zhvillimet në Kuvend tregojnë që fuqia e tyre e bashkuar do të ngecte në 60 deputetë, pra një më pak se shumica e thjeshtë e nevojshme për formim të qeverisë.

“Duke mbajtur pozicionin se Vetëvendosje është duke refuzuar që partitë tjera t’ia caktojnë kandidatin për lryetar të Kuvendit, bllokada në konstituimin e Kuvendit, që rrjedhimisht e pamundëson kalimin te faza e formimit të qeverisë, është në interesin politik të Vetëvendosjes, sepse, në ndërkohë, edhe mund të ketë zhvillime të reja që mund ta ndryshojnë situatën në favor të saj.

Sikur PDK, LDK dhe AAK vërtet të donin të krijonin qeverinë, procesi është shumë i thjeshtë. Pa menduar dy herë e votojnë cilido kandidat të propozuar për Kryetar të Kuvendit, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit menjëherë i hap rrugë procesit të formimit të qeverisë. Meqenëse, siç po shihet, mandatari Albin Kurti nuk i ka 61 vota të nevojshme, mundësia për të tentuar formimin e qeverisë mund t’i kalojë dikujt tjetër, me kushtin që ky mandatar i ri të dëshmojë që vërtet i ka gjasat reale për ta formuar qeverinë”, thekson tutje Kryeziu.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese vlerëson tutje se PDK, LDK dhe AAK nuk duan të kalojnë fare te faza e formimit të qeverisë, sepse kalkulojnë politikisht.

“Nuk duan të formojnë qeveri jetëshkurtër, ndërkaq, në anën tjetër, në aleancë me mediat, analistët televiziv dhe shoqërinë civile, prolongimi i konstituimit të Kuvendit, duke e paraqitur Kurtin si kokëfortë që refuzon kompromisin, po rezulton një taktikë e dobishme politike.

Pra, edhe njëherë, kriza në Kuvend është thellësisht politike. Asnjëra palë nuk është e interesuar për zgjidhje dhe as për debllokim. Akuzat e ndërsjella që pala tjetër është bllokuese janë thjesht muhabete kot dhe pa domethënie reale. Realiteti është që të gjitha partitë janë të angazhuara ekskluzivisht vetëm rreth qëllimit si të pozicionohen më mirë para zgjedhjeve të pashmangshme”, shkruan ai.