Aksidenti me fatalitet në Klinë, Policia: Drejtuesi i veturës nuk iu përshtat shpejtësisë dhe kushteve të rrugës

Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 06:10 në magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Dollc. Si pasojë e këtij aksidenti ku ishin të përfshirë një autobus dhe një veturë, ka humbur jetën 1 person dhe pesë persona kanë mbetur të lënduar. Policia e Kosovës, përmes një postimi në Facebook ka treguar për shkakun e aksidentit.…

Lajme

21/08/2025 11:01

Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 06:10 në magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Dollc.

Si pasojë e këtij aksidenti ku ishin të përfshirë një autobus dhe një veturë, ka humbur jetën 1 person dhe pesë persona kanë mbetur të lënduar.

Policia e Kosovës, përmes një postimi në Facebook ka treguar për shkakun e aksidentit.

“Deri te ky aksident dyshohet se ka ardhur derisa drejtuesi i veturës ishte duke qarkulluar nё drejtimin Prishtinё–Pejё, ku me tё arritur në fshatin Dollc, duke mos iu pёrshtatur shpejtёsisё dhe kushteve tё rrugёs, humb kontrollin mbi automjet dhe kalon nё shiritin pёr lëvizje nga ana e kundёrt dhe godet autobusin nё pjesёn ballore. Si pasojё e aksidentit, drejtuesi i automjetit pёr shkak tё lёndimeve trupore ka ndёrruar jetё, kёtё e ka konstatuar ekipi mjekёsor, ndёrsa lëndime trupore kanё pёsuar pesё (5) persona, tё cilёt janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё, pёr tretman mjekёsor. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Në lidhje me rastin, sot kanë folur edhe nga kompania e autobusit të përfshirë në aksident, “Pranvera Tours”.

Nga kjo kompani kanë thënë se shoferi dhe pasagjerët e autobusit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut.

“Me keqardhje të thellë ju njoftojmë se sot ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë njëri nga autobusët e kompanisë sonë dhe një automjet tjetër. Fatkeqësisht, si pasojë e këtij aksidenti, ka humbur jetën shoferi i veturës. Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e tij në këtë moment të vështirë. Shoferi dhe pasagjerët tanë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut.”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/