Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” pa leje, Çeku: Gjykata na dha të drejtë për herë të dytë radhazi

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të dytën herë me radhë në lidhje me sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë. Sipas Çekut, gjykata ka refuzuar përsëri kërkesën e Komunës së Prishtinës për pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. “Provuan një herë, dështuan. Provuan…

Lajme

19/08/2025 14:25

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për të dytën herë me radhë në lidhje me sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Sipas Çekut, gjykata ka refuzuar përsëri kërkesën e Komunës së Prishtinës për pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

“Provuan një herë, dështuan. Provuan për së dyti, prapë e morën të njëjtën përgjigje nga gjykata: REFUZOHET si e pabazuar kërkesa e Komunës së Prishtinës,” ka shkruar Çeku në një postim publik.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një projekt që ka shkelje të shumta ligjore dhe se Ministria ka qenë konsistente në qëndrimin e saj që nga fillimi.

“Nga fillimi ju kemi treguar që janë duke e shkelur ligjin me dy këmbë. Por ata vazhduan me qasjen e tyre shpërfillëse, e për më keq, na akuzuan për bllokim,” shtoi Çeku.

Ministri në detyrë deklaroi se projekti i Komunës nuk ka kaluar nëpër procedurat e nevojshme ligjore.

“Nuk i morën lejet e nevojshme, nuk i konsultuan banorët, nuk i zgjidhën çështjet pronësore, lidhën kontratë të kundërligjshme, gjykata dy herë ua refuzoi kërkesën për pezullim”, tha ai.

Çeku theksoi se zgjidhjet për Prishtinën duhet të jenë të ligjshme dhe të bazuara në vizion të qartë zhvillimor.

“Zgjidhjet e qëndrueshme për Prishtinën do të nisin pas 12 Tetorit. Me vizion zhvillimor dhe me ligjshmëri të plotë”, ka shkruar ministri në detyrë, njëherit kandidati i LVV-së për kryetar të ardhshëm të Prishtinës.