Murati qesharak, vazhdon të ankohet: Aktgjykimi i Kushtetueses dukej sikur është shkruar në zyrat e PDK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Seancën Konstituive të Kuvendit, duke u përpjekur ta interpretojë vendimin me tone të një “eksperti juridik”, ndërsa njëkohësisht nuk kurseu as sulmet ndaj opozitës, konkretisht Partisë Demokratike të Kosovës. Murati pretendon se veprimet e kryesuesit të…

Lajme

19/08/2025 14:04

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Seancën Konstituive të Kuvendit, duke u përpjekur ta interpretojë vendimin me tone të një “eksperti juridik”, ndërsa njëkohësisht nuk kurseu as sulmet ndaj opozitës, konkretisht Partisë Demokratike të Kosovës.

Murati pretendon se veprimet e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, dhe të grupit parlamentar të VV-së, kanë qenë në “përputhje të plotë me Kushtetutën”, duke u mbështetur në një aktgjykim të vitit 2014, transmeton lajmi.net

Ai shkoi më tej duke akuzuar Gjykatën se ka ndryshuar interpretimin vetëm sepse “fituesi tani është Lëvizja Vetëvendosje dhe jo PDK-ja”. “Ky Aktgjykimi i publikuar dje edhe duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së”, shkruan Murati, duke lënë të kuptohet se vendimi është politikisht i motivuar.

Kjo deklaratë, përveç që ngjan me një përpjekje për të relativizuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përforcon qasjen konfrontuese të Vetëvendosjes ndaj institucioneve të pavarura dhe opozitës, duke u shndërruar më shumë në një koment politik sesa në një analizë juridike të mirëfilltë.

Postimi i plotë: 

Kryesuesi i Seancës Konstituive z. Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga data 15 prill e deri me 26 korrik kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, nëse marrim për bazë Aktgjykimin KO119/2014.
Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014. Nuk ka ndryshuar.
Por ajo çfarë ka ndryshuar është interpretimi që po i bëjnë Kushtetutës anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ka ndryshuar fituesi – tash është Lëvizja Vetëvendosje e nuk është PDK-ja.
Në fakt, ky Aktgjykimi i publikuar dje edhe duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së, për dallim prej atij të datës 26 qershor që megjithatë linte përshtypjen se ka pasur kontribut edhe nga vetë Gjykata./lajmi.net/