Lavrovi e lavdëron Trumpin, i kritikon evropianët për qasjen ndaj paqes në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të premten se ishte e qartë në samitin e së premtes në Alaskë mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara që presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ekipi i tij duan sinqerisht që të arrijnë paqe afatgjatë e të qëndrueshme në Ukrainë. “Ishte e qartë se kreu…

Bota

19/08/2025 13:57

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të premten se ishte e qartë në samitin e së premtes në Alaskë mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara që presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ekipi i tij duan sinqerisht që të arrijnë paqe afatgjatë e të qëndrueshme në Ukrainë.

“Ishte e qartë se kreu i Shteteve të Bashkuara dhe ekipi i tij, në rend të parë, sinqerisht duan të arrijnë një rezultat që do të jetë afatgjatë, i qëndrueshëm, i besueshëm” – i tha kryediplomati rus kanalit televiziv shtetëror, “Rossiya 24”, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”, transmeton nacionale.

Ai e krahasoi atë që e përshkroi si pozicion konstruktiv të Uashingtonit me atë të Evropës, disa prej udhëheqësve të së cilës morën pjesë në një samit të jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë të hënën me Trumpin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta diskutuar situatën në Ukrainë.

Lavrovi tha se “Evropianët kishin… këmbëngulur në secilën kthesë vetëm në armëpushim dhe se, pas kësaj, ata do të vazhdonin që ta furnizonin Ukrainën me armë”.

Në një shkrim të publikuar të hënën vonë në rrjete sociale, Trumpi tha se e kishte telefonuar presidentin rus dhe e kishte filluar organizimin e një takimi mes Putinit dhe Zelenskyt, i cili do të pasohej nga një samit trepalësh mes tre presidentëve.

Trumpi iu tha udhëheqësve evropianë se Putini e kishte sugjeruar këtë formë të takimeve, sipas një burimi në delegacionin evropian.

Përderisa Kremlini nuk e ka njoftuar publikisht marrëveshjen, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se takimi mes Putinit e Zelenskyt mund të zhvillohet në Hungari. Dy presidentët do të takohen brenda dy javëve të ardhshme, sipas kancelarit gjerman, Friedrich Merz.

Bisedimet e fundit të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan në Turqi në qershor. Putini e kishte refuzuar ftesën e Zelenskyt për t’u takuar sy me sy dhe, në vend të kësaj, në Turqi dërgoi një delegacion të nivelit të ulët.