Sillet para Gjykatës i dyshuari për krime lufte në Vushtrri
Sinisha Spasiq, i dyshuar për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, është sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në këtë Gjykatë, pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Spasiq. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit…

Lajme
Sinisha Spasiq, i dyshuar për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, është sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në këtë Gjykatë, pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Spasiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit S.S., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”
S.S., dyshohet se mori pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur dhe se ka plaçkitur, djegur shtëpi, si dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, S.S. dyshohet se, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervsit aktiv me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë. Ndër të tjera, S.S. dyshohet se më 06.04.1999 në bashkëkryerje, gjatë një aksioni ka plaçkitur, djegur shtëpi, si dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur”, thuhet në njoftim.
Prokuroria bën të ditur se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë edhe dëshmi të dëshmitarëve. /BetimipërDrejtësi