E konfirmuar: Prokuroria Speciale kërkon arrestimin e Goran Rakiqit për barrikadat në veri

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës të lëshojë urdhër-arrest ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetar i Listës Serbe. Arsyeja ka të bëjë me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit, gjatë vitit 2022, kur Rakiqi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve për këtë…

Lajme

19/08/2025 13:31

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës të lëshojë urdhër-arrest ndaj Goran Rakiqit, ish-kryetar i Listës Serbe.

Arsyeja ka të bëjë me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të vendit, gjatë vitit 2022, kur Rakiqi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në kuadër të zhvillimit të hetimeve për këtë rast, PSRK thotë se i ka ndërmarrë dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e të pandehurve në këtë rast penal.

Arbnora Luta, zëdhënëse e PSRK-së, tha për lajmi.net, se tashmë ka përfunduar intervistimi edhe i të pandehurve Zllatan Ellek (kryetar aktual i Listës Serbe), Igor Simiq dhe Sllavko Simiq.

“Prokuroria Speciale është duke e hetuar rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.Në kuadër të zhvillimit të këtyre hetimeve, PSRK i ka ndërmarrë dhe është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e të pandehurëve në këtë rast penal. Tashmë ka përfunduar intervistimi edhe i të pandehurëve S.S, I.S., dhe Z.E. Ndërsa, sa i përket intervistimit të G.R., i njëjti është ftuar tri herë, por nuk është paraqitur, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim.”

“Andaj, me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj tij.”

Siç jeni në dijeni në kuadër të hetimeve që PSRK, është duke i zhvilluar në rastin e barrikadave në vitin 2022, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, ka kërkuar urdhër-arrest edhe ndaj 11 personave të tjerë.”, tha Luta./lajmi.net/