Krasniqi: Vendimi i Kushtetueses është i prerë dhe i detyrueshëm, seanca me votim të hapur sa më shpejt

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas publikimit të plotë të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese ka bërë thirrje që seanca e Kuvendit të thirret sa më shpejt nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari. Ai tha se vendimi i Kushtetueses është i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime.…

Lajme

18/08/2025 16:09

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas publikimit të plotë të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese ka bërë thirrje që seanca e Kuvendit të thirret sa më shpejt nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Ai tha se vendimi i Kushtetueses është i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime.

“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – me votim të hapur. Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime”.

Krasniqi tha se Kosova ka nevojë për institucione dhe jo për zvarritje.

“I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”.

Gjykata Kushtetuese ka obliguar deputetët e Kuvendit që ta konstituojnë legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit brenda 30 ditëve, ndërsa ka vendosur që votimi të jetë i hapur dhe se emri i njëjtë duhet të hidhet në votim tri herë.