Lejuan rrënimin e “Sarajit të vjetër” në Prizren , shkaktuan dëm në vlerë mbi 15 milionë euro – Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve
Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër P.B., dhe E.Th., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sipas aktakuzës, të pandehurit P.B. dhe E.Th., në cilësitë e…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër P.B., dhe E.Th., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sipas aktakuzës, të pandehurit P.B. dhe E.Th., në cilësitë e tyre zyrtare në Komunën e Prizrenit, duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat ligjore, kanë lejuar rrënimin e objektit të mbrojtur kulturor “Saraji i vjetër” dhe ndërtimin e një kompleksi banesor, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm trashëgimisë kulturore në vlerë prej mbi 15 milionë euro.
“Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej datës 05.01.2024 deri më 04.04.2024 në Prizren, i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i drejtorisë për urbanizëm në Komunën e Prizrenit, ndërsa e pandehura e dytë E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në DUPH në komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat me qëllim të shkaktimit të dëmit Ministrisë së Kulturës (MKRS), duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh., në atë mënyrë që i pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH edhe pse ka pas njohuri se kompleksi “Saraji i vjetër” në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij, ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i vjetër” në Prizren, krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ashtu që me dashje tejkalojnë dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre të cila janë të përcaktuara me ligj në drejtimin të moslejimit të rrënimit të objektit “Saraji i vjetër” dhe ndërtimit mbi gërmadhat e saj të kompleksit banesor, me ç’rast shkaktohet një dëm i pariparueshëm i trashëgimisë kulturore në shumë rreth 15.961.832.70 € (pesëmbëdhjetë milionë, e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e dy euro, e shtatë dhjetë cent)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.