Takimi fillon në ajër, Trump dhe Putin do të takohen në aeroplan

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të mirëpresë homologun e tij rus, Vladimir Putin, në aeroplanin e tij përpara se të nisen për në një bazë ushtarake në Alaska, ku do të fillojë pjesa zyrtare e takimit. Takimi midis Putinit dhe Trumpit në Alaska do të jetë i pari i tyre në mandatin e dytë…

Bota

15/08/2025 18:22

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të mirëpresë homologun e tij rus, Vladimir Putin, në aeroplanin e tij përpara se të nisen për në një bazë ushtarake në Alaska, ku do të fillojë pjesa zyrtare e takimit.

Takimi midis Putinit dhe Trumpit në Alaska do të jetë i pari i tyre në mandatin e dytë të Trumpit.

Dyshja u takua për herë të fundit në vitin 2021, transmeton telegrafi.

Takimi u organizua, me kërkesë të Rusisë, në lidhje me situatën në Ukrainë, përkatësisht agresionin që Rusia nisi kundër këtij vendi në shkurt të vitit 2022 dhe që është ende duke vazhduar.

Trump dhe Putin do të fillojnë takimin në orën 21:00 dhe do të zhvillohet në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson, më e madhja në Alaska.

Përveç Ukrainës, në tryezë janë edhe çështje të tjera me rëndësi për Putinin dhe Trumpin, dhe fokusi kryesor do të jetë në normalizimin e mundshëm të marrëdhënieve midis Moskës dhe Uashingtonit.

Rusia shpreson të dalë nga ky takim pa sanksione shtesë, të cilat i njoftoi Trumpi, dhe me konfirmimin e pushtimit të disa pjesëve të Ukrainës, si dhe me potencialin për t’u hapur ndaj tregut amerikan dhe përfundimisht ndaj tregut botëror.

Nga ana tjetër, Trump shpreson të dalë nga ky takim me një plan për armëpushim në Ukrainë.

Ai tha në fushatën zgjedhore se do ta ndalte luftën “brenda 24 orësh”, por nuk arriti ta bënte këtë.

Ky takim është përpjekja e tij më serioze deri më tani për t’i dhënë fund luftës që filloi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.