Prokurori rastit: Për të akuzuarit kemi bërë kërkesë për urdhërarrest dhe fletëlëshim ndërkombëtarë – Deri tani janë të paarritshëm për Prokurorinë

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatë Themelore të Prishtinës, ndaj 21 të pandehurve për dëbimin e popullsisë civile nga Kosova gjatë luftës së fundit. Kjo aktakuzë është ngritur në mungesë të të pandehurve, dhe për sigurimin e prezencës së tyre, Prokurori i rastit ka thënë se kanë bërë kërkesë për urdhërarrest…

Lajme

15/08/2025 11:37

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatë Themelore të Prishtinës, ndaj 21 të pandehurve për dëbimin e popullsisë civile nga Kosova gjatë luftës së fundit.

Kjo aktakuzë është ngritur në mungesë të të pandehurve, dhe për sigurimin e prezencës së tyre, Prokurori i rastit ka thënë se kanë bërë kërkesë për urdhërarrest dhe fletlëshim ndërkombëtarë me kohë.

“Kemi bërë kërkesë për urdhërarrest dhe fletëlëshim ndërkombëtarë me kohë. Pra, i kemi marrë të gjitha veprimet e nevojshme ashtu siç kërkohet me procedurat ligjore tek ne. Deri në këtë moment të njëjtit janë të paarritshëm për Prokurorinë”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Ai ka thënë se i kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar prezencën e tyre.

“Ne i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar prezencën e tyre. Gjithsesi se urdhër-arresti dhe fletëlëshimi ndërkombëtar flasin për një çështje të tillë, pra fletëlëshimi ndërkombëtar i detyron shtetet që në moment që ata hasin të pandehurit në territorin e tyre, të ndërmerren veprime siç kërkohen me të drejtat vendore dhe ndërkombëtare.”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/