Burim Ramadani u bën thirrje qytetarëve të mos kalojnë përmes Serbisë: Arrestimet janë pjesë e një lufte speciale

Analisti Burim Ramadani ka reaguar ashpër ndaj rasteve të arrestimeve të qytetarëve të Kosovës në territorin e Serbisë, duke i cilësuar ato si pjesë të një “lufte speciale të planifikuar” nga regjimi serb. Në një postim publik, ai ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë që qytetarët të shmangin udhëtimet përmes Serbisë, duke paralajmëruar për rreziqe serioze…

Lajme

14/08/2025 19:35

Analisti Burim Ramadani ka reaguar ashpër ndaj rasteve të arrestimeve të qytetarëve të Kosovës në territorin e Serbisë, duke i cilësuar ato si pjesë të një “lufte speciale të planifikuar” nga regjimi serb.

Në një postim publik, ai ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë që qytetarët të shmangin udhëtimet përmes Serbisë, duke paralajmëruar për rreziqe serioze personale dhe shtetërore, transmeton lajmi.net

Sipas Ramadanit, këto arrestime nuk synojnë vetëm nxitjen e pasigurisë, por edhe përpjekje për rekrutime të dhunshme, shantazhim apo komprometim të besueshmërisë së qytetarëve të Kosovës.

“Mos rrezikoni jetën tuaj, mos rrezikoni shtetin e Kosovës!”, ka theksuar ai, duke i ftuar qytetarët që të evitojnë kalimin nëpër territorin serb për çfarëdo arsye.

Postimi i plotë:

Sërish dhe sërish, MOS KALONI NËPËR TERRITORIN E SERBISË!
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në Serbi janë pjesë e një lufte speciale tepër të planifikuar nga regjimi serb.
Jo vetëm për të nxitur pasiguri, por edhe për të tentuar rekrutimin e dhunshëm të tyre apo blerjen e qenies së tyre! Apo, mjafton: nxitjen e dyshimeve në Kosovë rreth tyre!
Prandaj:
• Mos rrezikoni jetën tuaj!
• Mos rrezikoni besueshmërinë tuaj deri në fund të jetës!
• Mos rrezikoni shtetin e Kosovës!
Thjesht, mos kaloni nëpër territor të Serbisë!/lajmi.net/